Qytetet britanike po përballen me një valë kaosi të shkaktuar nga biçikleta elektrike të modifikuara ilegalisht, të cilat arrijnë shpejtësi deri në 70 milje në orë (rreth 110 km/h), shumë mbi kufirin ligjor prej 15.5 milje në orë. Në Birmingham, policia ka zbuluar se qindra biçikleta shpërndarësish ushqimi janë jashtë kontrollit ligjor, ndërsa qytetarët ndihen gjithnjë e më të pasigurt, veçanërisht në trotuare.
Rastet e plagosjeve dhe arratisjeve janë në rritje. Një police nga West Midlands tregon se u lëndua vitin e kaluar kur një shofer shpërndarjeje u largua me shpejtësi gjatë një ndalese. Disa nga biçikletat e sekuestruara arrinin shpejtësi mbi 70 mph, ndërsa dy nga shoferët e ndaluar rezultuan të ishin ilegalë në vend, por u lanë të lirë me gjoba.
Përfaqësues të organizatave për personat me aftësi të kufizuara thonë se përdorimi i trotuareve nga këto biçikleta është kthyer në rrezik për jetën. Ndërkohë, ekspertë të çështjeve të sigurisë theksojnë se këto mjete, të modifikuara jashtë standardeve, jo vetëm që janë të rrezikshme në rrugë, por rrezikojnë të shpërthejnë edhe brenda shtëpive.
Gazetarja Laura Laker theksoi se shpërndarësit po shfrytëzohen nga platformat, të cilat i paguajnë “për çdo dorëzim”, duke i shtyrë të rrezikojnë jetën për të bërë sa më shumë xhiro. Nga ana tjetër, autoritetet paralajmërojnë se këto biçikleta, që ngjajnë me motoçikleta, po përdoren gjithnjë e më shumë për vepra kriminale për shkak të shpejtësisë dhe manovrimit të lehtë.
Organizata Crimestoppers ka marrë dhjetëra ankesa për raste frikësuese nga qytetarët: një fermer në Skoci u përball me dëme mijëra paund pasi fushat iu shkatërruan nga këto mjete, ndërsa një e moshuar në Edinburg thuajse u përplas nga paniku me një autobus për të shmangur një biçikletë në trotuar.
Në vetëm 9 muajt e parë të vitit 2024, policia në Britani sekuestroi gati 300 biçikleta dhe skuterë të rrezikshëm të modifikuar ilegalisht — trefishi i shifrës së dy viteve të mëparshme. Autoritetet kërkojnë ndërhyrje urgjente për të ndalur këtë fenomen që po kërcënon sigurinë publike dhe po shkatërron ambientin urban.







