Lulzim Basha e ka mundur vetëm një herë Edi Ramën, në zgjedhjet për kryetar bashkie të vitit 2011, të cilat qenë gjithsesi shumë të kundërshtuara, pasi Rama fillimisht fitoi me vetëm me 10 vota, ndërsa pas një rinumërimi të vendosur nga ushtari i PD Arben Ristani, asokohe kreu i KQZ, Basha fitoi me 81 vota diferencë.
Që atëhere Basha ka humbur në 4 palë zgjedhje përballë Ramës, qofshin lokale apo kombëtare.
Nëse llogarisim edhe zgjedhjet e 2025, ku Basha u katandis si kokoshi një thelë, atëherë humbjet e tij me medalje druri shkojnë në 5.
Por kur askush nuk e priste më, Basha ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Edi Ramës në gjykatë.
Në fakt, Gjykata e Tiranës ka rrëzuar një kallëzim të Edi Ramës për shpifje ndaj Bashës, ndaj të cilit kishte kërkuar edhe 10 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim, për ato që Rama i konsideronte si thënie të pavërteta të deklaruara prej Bashës, nga selia e Partisë Demokratike, në prononcim për mediat më datë 22.10.2018.
Rama kishte kërkuar gjithashtu nga Gjykata që ta detyronte Bashën të publikonte një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kanë publikuar deklaratën apo lajmin mbi të.
Por Gjykata vendosui rrëzimin e padisë si të pabazuar në ligj e në prova dhe ia la shpenzimet gjyqësore Edi Ramës si palë paditëse.
Për Lulzim Bashën, beteja ndaj Edi Ramës duket se sapo ka nisur.
