Lajme Troç ka nisur një mandat metër për të llogaritur sa vota duhen në çdo qark për të nxjerrë një deputet, e nisim filimisht me qarkun më të rëndësishëm atë të Tiranës:
Në Tiranë, gjithçka ka më shumë peshë, betejat politike janë më të zhurmshme, gara e prezencës në media më e madhe dhe ato llogari të ndikimit të nëndheshëm më të frikshme. Në zgjedhjet e 11 majit 2025, kjo dinamikë do të intensifikohet më tej nga një faktor i ri diaspora shqiptare. Për herë të parë, më shumë se 240 mijë shqiptarë nga jashtë vendit janë regjistruar për të votuar me postë. Kjo është një risi e madhe jo vetëm për demokracinë shqiptare, por edhe për aritmetikën elektorale sidomos në qarkun e Tiranës, ku pritet të përqendrohet pjesa më e madhe e votës së diasporës.
Por le t’i futemi me detaje llogarive: Sipas Censusit 2023, Tirana ka një popullsi prej 758,513 banorësh. Me një pjesëmarrje zgjedhore tipike shqiptare prej 46.5% (duke marrë parasysh mesataren e zgjedhjeve parlamentare 2017 dhe 2021), pritet që 352,210 qytetarë të votojnë brenda territorit të qarkut.

Por këtë vit, diaspora do të shtojë në thes edhe rreth 35,232 vota të tjera, të shpërndara për Tiranën sipas vendlindjes. Duke aplikuar të njëjtën normë të pjesëmarrjes (46.5%), kjo do të përkthehet në 16,400 vota të pritshme nga diaspora, që bashkë me votat e brendshme e çojnë totalin në:
- 368,610 vota të pritshme në Tiranë, pra
- 9,965 vota për një mandat deputeti në Tiranë

Por le të themi se një kandidat duhet minimumi të llogarisë në bllokun e shënimeve ose në dokumentin Excel të sekretares së shtabit dhjetëmijë vota të sigurta. Shifra prej rreth afro 10,000 votash për një mandat është një standard i ri elektoral në Tiranë. Nuk mjafton më thjesht mbështetja e degëve e grup-seksioneve partiake apo emri i njohur, kandidati duhet të ketë një bazë reale mbështetësish, një profil të qartë publik, dhe një makineri elektorale me koordinatorë/patronazhistë që mobilizon edhe jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, për partitë e reja kjo shifër është një kufizim brutal, por gjithashtu një objektiv i matshëm. Nëse dikur mendohej se një deputet në Tiranë nxirrej me “një goditje në media dhe një vend në listë e kryetarit“, tani fjalën e fundit e ka numri i votuesve të sigurte e të mobilizuar realisht. Rreth 35 mijë votues të Tiranës në diasporë mund të duket pak në raport me popullsinë totale, por në një garë ku këto mijëra vota bëjnë diferencën mes një mandati më shumë apo një më pak. Lufta për Tiranën nuk bëhet më vetëm në Kombinat e Fresk, por edhe në Athinë e Milano.
Në Tiranë, nuk ka vend për vetëkënaqësi elektorale. Çdo kandidat duhet të dijë saktë se ku i ka, si i mobilizon, dhe si i ruan votat. Vota është monedha e vetme që të çon në Kuvend. Në këtë qytet që është reflektimi i gjithë Shqipërisë, mandati nuk fitohet më me slogan por me aritmetikë, strategji dhe mbështetje reale nga njerëzit.