FLASH :

Berisha pritet si “hero” nga 10 pensioniste para SPAK

I shoqëruar me një grusht militantësh, kreu i PD, Sali Berisha u paraqit në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani. Edhe kësaj radhe, shënjestër e sulmeve të tij ishte kreu i SPAK, Altin Dumani dhe gjyqtarja e hetimit paraprak, Irena Gjoka.

Me një gjuhë të ashpër, Berisha, i cili kreun e SPAK e quan Altin Troplini, e akuzoi se është kthyer në avokat të karteleve qeveritare të drogës. Duke zbuluar se çfarë shënimi la në SPAK pas paraqitjes te oficeri i policisë gjyqësore, Berisha e quajti Dumanin zëvendëskreun e krimit monstruoz elektoral, duke e akuzuar se nuk zbatoi urdhrat e arrestit për Troplinët, e duke shtuar se “bashkëpunimi i tij me krimin do të marrë ndëshkimin e merituar”.

“Zëvendëskreut të krimit monstruoz elektoral, Altin Troplinit. Nuk mund të quhet ndryshe ky, pas aktit të tij të shëmtuar të fshehjes në xhep dhe të mosekzekutimit të urdhrit të arrestit për Troplinët gjersa ata u arratisën. Ndaj dhe sot e përgjithmonë ai do mbetet në analet si Altin Troplini. Dhe avokatit më kryesor të karteleve qeveritare të drogës”, tha Berisha.

I entuziazmuar nga sulmi i Donald Trump për George Soros, Berisha vijoi me narrativën e tij se filantropisti ka tentakulat e tij edhe në vendin tonë e madje ‘produktet e tij mafioze’ janë edhe në sistemin e drejtësisë. Këtu, pati edhe një sulm tjetër ndaj Dumanit, duke thënë se pas masës së arrestit për të, kreu i SPAK u dekorua nga sekretari i Shtetit të asaj kohe, Antony Blinken. Këtë të fundit e quan anëtar i organizatës kriminale të Sorosit. Edhe pse në fakt duhet të kujtojmë se pavarësisht sulmeve që Berisha adreson në drejtim të Soros, më herët ishte ai që e mbronte dhe e falënderonte për fitoren e PD.

“Dua të them se produkte mafioze të organizatës kriminale të George Soros dhe Aleks Sorosit është pas Edi Ramës familjarisht, janë në sistemin e drejtësisë. Mos harroni se Altin Troplini u dekorua pas arrestimit të Sali Berishës nga Antony Blinken, nga një i pafytyrë, anëtar i organizatës kriminale të Sorosit, që nuk hyn sot në zyrat federale të vendit të tij. Ja ku për merita të veçanta do të dekorohej”, tha Berisha.

Fare i paqartë ishte se ç’po ndodh me padinë e tij ndaj Antony Blinken, ish-sekretarit Amerikan të Shtetit që e shpalli non-grata në 2021-shi. Se në ç’fazë është ky proces ish-kryeministri nuk di ta shpjegojë.

Jo, ky ka qenë në Paris. Është në përfundim. Ka një problem. Në atë periudhë, Antony Blinken kishte imunitet. Imuniteti për shpifjen nuk shërben, por varet nga gjykatësi, e pranon gjykatësi ose nuk e pranon gjykatësi. Pse nuk shërben? Shpifja nuk përfshihet tek funksionet zyrtare të zyrtarit. Por gjykatësi… Jo, tani prit, tani që Antony Blinken ka humbur çdo funksion dhe uroj që drejtësia amerikane të flasë për këtë, se i ka bërë një mashtrim të madh kombit amerikan”, iu përgjigj Berisha gazetarëve. 

Dosja Partizani ka kaluar për gjykim më 19 maj, dhe Berisha do të gjykohet për ‘korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë’. Seanca e radhës për dosjen Partizani pritet të mbahet më 15 shtator.

Berisha akuzohet se, gjatë kohës kur mbante postin e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve mbi truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.