FLASH :

“Bëra 30 milionë paund, por ika nga Dubai”: Rrëfimi i sipërmarrësit që braktisi parajsën fiskale

Pas dy vitesh në Dubai dhe me një pasuri marramendëse prej 30 milionë paundësh, sipërmarrësi britanik Charlie Morgan ka vendosur të largohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe pse qyteti i josh shumë për shkak të fitimeve pa taksa, Morgan thotë se jeta në Dubai ishte shumë larg asaj që e kishte imagjinuar.

Në një video në kanalin e tij në YouTube, Charlie fillimisht lavdëron Dubain për stilin e shëndetshëm të jetesës dhe sigurinë ekstreme: “Nuk ka sherre, nuk ka dhunë, nuk ka fjalor të pistë nëpër lokale – ndihesh i mbrojtur kudo.” Ai shton se ndalimi i drogës, pornografisë dhe lojërave të fatit ndihmon në disiplinimin personal.

Por pse iku atëherë nga një parajsë me para dhe qetësi?

“Dubai s’është vend ku ndërton jetë”

Sipas Charlie-t, “është e pamundur të vësh rrënjë në Dubai”. Shumica e njerëzve planifikojnë ta lënë qytetin pas disa viteve, çka sipas tij krijon ndjesinë e përkohshmërisë: “Jetesa aty është si të jesh me qira në një Airbnb.”

Ajri, uji, trafiku – një tjetër realitet

Ai kritikon ajrin e ndotur që ndikon në frymëmarrje, veçanërisht në muajt e verës: “E ndjen në fyt dhe e shikon me sy në horizontin e mbuluar nga smogu.” Po ashtu, thekson se uji i pijshëm është i filtruar dhe pa elektrolite, çka çon në dehidratim. Për ta kompensuar, ai konsumonte kripë Himalaje përmes një huni.

Dubai është gjithashtu një qytet i varur nga makinat, me trafik të rëndë dhe kaos në timon. “Në Europë dal nga shtëpia dhe ec te supermarketi, te parku, te miqtë. Në Dubai s’mund ta bësh këtë,” – thotë ai.

Ndërtimet dhe izolimi social

Zhurmat e ndërtimeve ishin një tjetër arsye që e shtynë Charlie-n të largohej, sidomos për banorët e pallateve. Por më e rëndësishmja për të ishte mungesa e jetës sociale të qëndrueshme: “Miqësitë janë të përkohshme dhe shoqëritë janë klike. Nuk ka komunitet.”

Edhe jeta sentimentale ishte e vështirë. Sipas tij, raporti mes gjinive është i pabarabartë dhe Dubai tërheq një profil të veçantë grash që nuk përputhej me atë që kërkonte ai.

Taksa të paqarta dhe frikë nga pushteti

Një nga befasitë më të mëdha për të ishte mungesa e transparencës për taksat: “Ka një tatim prej 9% për korporatat, por askush nuk e di qartë se kush e paguan dhe pse.” Kjo, sipas tij, e bën situatën të rrezikshme për biznes.

Për më tepër, sipërmarrësi ndau ndjenjën e “frikës së heshtur” që ekziston për shkak të pushtetit të pakontrolluar të policisë dhe mungesës së demokracisë: “Nuk e di se si funksionon sistemi, por të gjithë jetojnë me ndjenjën se nëse bën një gabim, përfundon në burg.”

Konformizmi dhe mungesa e natyrës

Në fund, Charlie kritikon edhe stilin uniform të jetës së të ashtuquajturve “sipërmarrës të Dubai-t”: “Të gjithë vishen njësoj, sillen njësoj. Nuk ka individualitet.” Edhe pse jetonte afër detit, ai thotë se mungonin të gjelbrat, fushat dhe natyra e vërtetë.