Një kasetë e dorës së dytë e lojës Zelda. Një temë enigmatike në një forum. Dhe një brez i tërë fëmijësh të frikësuar. Kjo është historia e Ben Drowned – fantazma më e famshme në botën e videolojërave.
Ishte nata e Krishtlindjes, rreth dhjetë vite më parë, dhe 10-vjeçari Saarthak Johri nuk flinte nga gëzimi, por nga frika. Ai kishte kaluar gjithë ditën i zhytur në telefonin e tij, duke ndjekur me obsesion një mit urban që qarkullonte në internet. Ai e dinte se nuk ishte i vërtetë, por gjithsesi nuk arrinte ta nxirrte nga mendja.
Historia fliste për një student kolegji që kishte blerë një kopje të çuditshme të lojës The Legend of Zelda: Majora’s Mask – një version pa etiketë, ku mbi plastikë ishte shkruar thjesht “Majora”. Lojtari, që përdorte pseudonimin “Jadusable”, raportonte grafikë të shtrembëruar, muzikë të luajtur mbrapsht dhe një statujë të tmerrshme të personazhit kryesor që shfaqej kudo si një fantazmë digjitale. Ai publikoi edhe video në YouTube për të mbështetur rrëfimin e tij.
Sipas mitit, loja ishte e përndjekur nga fantazma e një fëmije të quajtur Ben, që kishte vdekur në një mbytje tragjike. Historitë e Jadusable zgjatën me javë në forume, duke rrëfyer se përndjekja nga Ben nuk ndodhte më vetëm në lojë – por edhe në jetën reale. Dhe më pas, krejt papritur, postimet u ndalën. Jadusable nuk u dëgjua më kurrë.
Historia shpërtheu në internet në vitin 2010 dhe u bë një nga legjendat më të frikshme të quajtura creepypasta, duke frymëzuar art, tregime dhe madje edhe lojëra të reja. Ajo u bë një lloj mitologjie moderne që përhynte frikërat më të thella për teknologjinë dhe ndikimin e saj në ndërgjegjen njerëzore.
Autori i saj, Alex Hall, një student në Universitetin e Shën Louis, dëshironte të krijonte një histori që kombinonte tmerrin me videolojërat. Ai përdori aftësitë e tij për të modifikuar lojën Majora’s Mask, një nga të preferuarat e tij, për të ndërtuar një atmosferë të zymtë dhe të frikshme, ku realiteti dhe bota virtuale fillonin të përziheshin. Fjalia ikonike: “Nuk duhej ta kishe bërë këtë”, u bë një nga elementët më të njohur të historisë.
Hall e bazoi idenë edhe tek përvojat personale me kaseta të përdorura lojërash ku gjejmë shpesh ruajtje të vjetra të papritura nga lojtarë të mëparshëm – një burim i pafund për fantazi urbane.
Ekspertët si John Sanders dhe Alexander Zawacki theksojnë se historia e Ben Drowned është pjesë e një tradite më të gjerë tregimesh për medie të përndjekura – nga kasetat e mallkuara deri tek programet misterioze në radio. Por ajo që e bëri këtë histori veçanërisht të frikshme ishte përfshirja e fëmijërisë, nostalgjisë dhe teknologjisë së hershme digjitale që lejonte defekte dhe “gabime” të frikshme.
Edhe pse shumë, si Johri apo studenti Charlie Duke, mbetën të traumatizuar për vite nga kjo histori – duke përjetuar panik apo shqetësime të thella – ata e kujtojnë sot me një farë nostalgjie. “Ishte gjëja e parë që më lidhte me të tjerët në shkollë,” thotë Johri. Ndërsa Duke, që më vonë kërkoi ndihmë psikologjike, e vlerëson si pjesë të rëndësishme të formimit të tij emocional.
Alex Hall sot po punon në një seri të re Dead Save, ku synon të krijojë përsëri versione alternative të videolojërave klasike, duke përdorur mjete modifikimi për të ringjallur mite të vjetra dixhitale.
Por, siç thekson Sanders, realiteti dixhital sot është edhe më i frikshëm se sa fantazitë. Rreziqet nuk vijnë më nga fantazmat e internetit, por nga vetë përdoruesit, algoritmet dhe format toksike të ndërveprimit. “Beni” është ende mes nesh – por jo më në formën e një statuje të ngurtë, por si viruse, mashtrime, dezinformim. Dhe kjo është edhe më shqetësuese.







