FLASH :

Bella Culley, e reja britanike shtatzënë, mund të lirohet nga burgu në Gjeorgji nëse familja paguan gjobën e madhe

Bella Culley, 19 vjeç, nga Teesside, e cila u arrestua në aeroportin e Tbilisit në Gjeorgji për tentativë kontrabande me 15 kg kanabis, mund të dalë nga burgu brenda javësh, nëse familja e saj arrin të paguajë një gjobë të madhe që kërkon shteti.

Gjyqi i saj ishte planifikuar të fillonte sot, por u shty në minutën e fundit për shkak të negociatave në proces. Gjyqtari Giorgi Gelashvili theksoi “suksesin e vazhdueshëm në negociata” dhe tha se data e gjykimit mund të ndryshohet sapo të arrihet një marrëveshje.

Avokati i Bellas, Malkhaz Salakaia, tha për gazetarët se nëse familja paguan shumën e kërkuar, ajo mund të niset direkt për në aeroport dhe të lirohet menjëherë.

Nëna e saj, Lyanne Kennedy, e cila ka udhëtuar nga Britania për ta mbështetur, tha se është në vështirësi për shkak të shumës së madhe që kërkohet, por nuk zbuloi shifrën.

Bella pret një fëmijë dhe pretendon se është detyruar nga një bandë në Tajlandë për të transportuar drogën, duke thënë se është djegur me hekur të nxehur dhe i është treguar një video prerjeje koke si kërcënim.

Avokati po negocion për një marrëveshje ku sa më e lartë të jetë gjoba, aq më pak kohë do të kalojë Bella në burg, deri në mundësinë e lirimit të plotë.

Seanca e radhës pritet më 9 tetor, por është e mundur që marrëveshja të finalizohet edhe më herët.