FLASH :

Belinda Balluku kalon Gonxhen, merr në dorë drejtimin e Bashkisë Tiranë – A do të bëhet ajo kryetarja e ardhshme?

Në një zhvillim të papritur politik brenda strukturave të Partisë Socialiste, burime të sigurta bëjnë me dije se Belinda Balluku, një nga figurat më të forta dhe me ndikim në qeveri, ka marrë kontrollin e përkohshëm të Bashkisë së Tiranës, duke zbehur ambiciet e të tjerëve në radhët e PS-së – përfshirë edhe Blendi Gonxhen, një nga emrat më të votuar të majit të kaluar.

Kryeministri Rama thuhet se ka zhvilluar një mbledhje të mbyllur me stafin drejtues të bashkisë, ku është shkarkuar Anuela Ristani, ish-zëvendësja e besuar e Erion Veliajt, por që u bë krah i Ramës, me ëndrrën që do të bëhej kryetare.

Ky vendim shihet si një përplasje e hapur me “Lali Erin”, i cili aktualisht ndodhet nën hetim dhe në paraburgim. Ndërkohë, Belinda Balluku ka nisur lëvizjet e saj për të konsoliduar kontrollin mbi administratën bashkiake, duke mbajtur takime intensive me figura kyçe dhe duke vendosur njerëzit e saj në pozicione drejtuese. Kjo është interpretuar nga analistët si një test terreni për ambicien e saj politike – që mund të shkojë deri në kandidimin për kryetare bashkie në zgjedhjet e ardhshme.

Nga ana tjetër, Blendi Goxha, i cili gjatë fushatës së 11 majit la të kuptohej qartë që synonte postin e kryebashkiakut, duket se është vënë në hije nga lëvizjet e Ballukut. Përkrahësit e tij janë të zhgënjyer dhe pyesin nëse “ëndrra në sirtar” e Blendi Gonxhes do të mbetet e tillë, apo do të kthehet në realitet nëse PS vendos të hapë garën.

Po ashtu, përplasja e nënkuptuar mes Belinda Ballukut dhe figurave të vjetra të PS-së, si Ogerta Manastirliu, shton tensionin në garën e brendshme për Tiranën – një bastion kyç për të ardhmen politike të partisë.

PS pritet të mbajë një mbledhje të rëndësishme ditët në vijim, ku do të flitet hapur për kandidaturat për Tiranën, ndërkohë që Balluku duket se po e shfrytëzon çdo ditë për të shtrirë ndikimin e saj në terren. A do të jetë ajo zgjedhja e Ramës për të marrë stafetën nga Veliaj? Apo do të kemi surpriza?

Një gjë është e sigurt: gara për Tiranën ka nisur më herët seç pritej, dhe “lufta e brendshme” brenda PS-së sapo ka hyrë në fazën më interesante.