FLASH :

“Bëhu e ëmbël, jo e fortë” – Manifesti anti-feminist që po çmend rrjetin

Brittany Hugoboom, ish-modele, nënë e dy fëmijëve dhe bashkëthemeluese e revistës “Evie”, ka ndezur debatet në SHBA dhe përtej oqeanit me filozofinë e saj kundër rrjedhës së feminizmit modern. E quajtur “Cosmopolitan-i konservator” apo “Bibla e tradwives”, revista online promovon virgjërinë para martesës, kundërshton kontraceptivët dhe e sheh feminizmin si shkaktar të depresionit tek gratë.

Megjithatë, Evie nuk duket si një media e zymtë konservatore – galeritë me foto të stilit, titujt seksi dhe dizajnet me “energji 100 për qind femërore” i japin një pamje moderne, përderisa përmbajtja shkon në një drejtim radikalisht tjetër. Artikujt këshillojnë gratë si t’i gatuajnë burrit për të mbetur shtatzënë, si të përgatiten për natën e parë të martesës apo si ta shmangin pa dashje mungesën e respektit ndaj bashkëshortit.

“Nuk jam rrezik,” thotë Hugoboom me një buzëqeshje të qartë sfiduese. “Është absurde si askush nuk i kritikon mediat e tjera për qëndrimet e tyre majtiste.”

E veshur me një fustan të shkurtër dizajneri dhe çizme Doc Martens në një studio në Brooklyn, Hugoboom nuk ka asnjë lidhje me imazhin klasik të një gruaje të viteve ’50. Por filozofia që përhap – një “jetë më e butë për gratë” dhe kthimi te vlerat tradicionale – e bën atë simbol të një lëvizjeje në rritje në Amerikë.

Me mbi 100 milionë vizita në muaj dhe mbështetje financiare nga figura si Peter Thiel, Evie është kthyer në një lloj “perandorie të feminitetit”. Krahas revistës, çifti Hugoboom ka krijuar aplikacionin 28 për kontroll natyral të lindjes, linjën e veshjeve të quajtur “Raw Milkmaid Dress”, dhe planifikojnë të hyjnë në botën e produksioneve filmike.

Edhe pse kundërshtaret e akuzojnë Evie për zbehje të të drejtave të grave, Hugoboom thotë se është fjala për një rikthim të identitetit femëror që mediat progresiste ua kanë mohuar grave për dekada.

“Femrat janë të lodhura nga roli i ‘girlboss’,” thotë ajo. “Disa thjesht duan dashuri, fëmijë dhe një jetë më të ngrohtë, jo stresin për t’u bërë CEO.”

E pyetur për përballjen me kritikat, ajo shprehet se nuk i bën përshtypje: “Vetëm vajzat e mia më mbajnë zgjuar natën.”

Revista “Evie” dhe çifti që e drejtojnë po ndërtojnë atë që e quajnë një “revolucion të heshtur” – i butë në pamje, por radikal në përmbajtje. Nëse është një kthim prapa apo një alternativë që gratë po e kërkojnë me vetëdije, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: Brittany Hugoboom nuk ka ndërmend të ndalojë.