FLASH :

Bëhet zyrtare, Inzaghi largohet nga Interi, gati trajneri i ri

Simone Inzaghi nuk është më trajneri i Interit. Pas katër sezonesh dhe një titulli kampion në Serie A, tekniku italian ka zyrtarizuar largimin e tij nga skuadra zikaltër për të pranuar ofertën marramendëse të Al Hilal në Arabinë Saudite. Kontrata e re, që përfshin një pagë prej 25 milionë euro neto në sezon për dy vite, e bën atë një nga trajnerët më të paguar në botë.

Largimi i Inzaghit vjen vetëm pak ditë pas humbjes së thellë 5-0 në finalen e Champions League përballë PSG-së, një rezultat që duket se ka përshpejtuar ndarjen me klubin. Takimi përfundimtar me drejtuesit u zhvillua të martën në një lokal në qendër të Milanos, larg selisë zyrtare në Viale della Liberazione. Vetëm pak orë më vonë, lajmi u bë publik ndërsa emisaret e Al Hilal ndodheshin tashmë në Milano për të finalizuar kontratën.

Ndërkohë, Interi nuk ka humbur kohë. Me Botërorin e Klubeve që nis për 10 ditë në SHBA, drejtuesit janë vënë në lëvizje për të gjetur pasuesin e Inzaghit. Emri më i përfolur është ai i Roberto De Zerbit, aktualisht në drejtimin e Marseille, i cili shihet si profili ideal për të vijuar projektin ambicioz të klubit. Prania e agjentit të tij, Edoardo Crnjar, pranë selisë së Interit ka shtuar spekulimet për një marrëveshje të afërt.

Pas një sezoni të suksesshëm në kampionat por të zhgënjyeshëm në arenën europiane, Interi gjendet përpara një kapitulli të ri – me një trajner që shkon drejt Arabisë dhe një tjetër që mund të vijë nga Franca.