Një nga zëdhënësit e Komisionit Europian, Thomas Regnier, ka deklaruar se Rusia qëndron pas përpjekjeve për të sfiduar politikisht presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen.
“Prej kohësh po ndjekim operacionet ruse kundër BE-së dhe ndaj Presidentes së Komisionit. Fakt-verifikues të pavarur kanë identifikuar qartazi këto operacione në kontekstin e mocionit të mosbesimit ndaj saj”, tha Regnier, duke ngritur alarmin për përpjekjet e Rusisë për të ndikuar politikisht brenda institucioneve të Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, mediat ukrainase raportojnë se Moska po planifikon një sulm të koordinuar me deri në 2.000 dronë kundër territorit të Ukrainës. Lajmi është konfirmuar nga gjenerali gjerman Christian Freuding, kreu i Qendrës Situatës për Ukrainën pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë.
Freuding paralajmëroi se një sulm i tillë përbën një sfidë serioze për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke theksuar nevojën për “masa kundërpërgjigje inteligjente”. Ai shtoi gjithashtu se përdorimi i raketave Patriot kundër dronëve kamikazë, që kushtojnë vetëm 30 deri 50 mijë euro, është ekonomikisht i papërshtatshëm, duke pasur parasysh se një raketë Patriot kushton mbi 5 milionë euro.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se gjatë natës së kaluar, Rusia kreu një tjetër sulm me 57 dronë, përfshirë dronë kamikazë të tipit Shahed.
Sulmi synoi qytetin e Zaporizhjës dhe zonat e vijës së parë të frontit në rajonet Donetsk, Kharkiv, Sumy dhe Dnipropetrovsk. Copëzat e dronëve të rrëzuar ranë në gjashtë zona të ndryshme.
“Forcat ruse nuk ndalen. Një valë e re dronësh Shahed po afrohet nga verilindja,” përfundon njoftimi i Forcave Ajrore të Ukrainës.