FLASH :

BE ende pa marrëveshje për sanksione shtesë ndaj Rusisë

Bashkimi Europian nuk arriti të miratojë paketën e 18 të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi Sllovakia refuzoi të japë dakordësinë. Paketa e re synonte të godiste të ardhurat ruse nga eksporti i naftës në vendet e treta, përmes vendosjes së tavaneve të reja të çmimeve dhe ndalimit të mjeteve lundruese që operojnë jashtë tyre. Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën konsensus, ndërsa edhe Malta shfaqi rezerva për ndikimin e mundshëm në industrinë e saj të transportit detar.

Kryeministri sllovak Robert Fico, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Moskën, kërkon kompensim financiar në rast se sanksionet rrezikojnë furnizimin me gaz rus për vendin e tij. Ky bllokim u kritikua nga diplomatët europianë si sinjal i dobët në një moment kritik kur SHBA ka rritur tonin ndaj Rusisë.

Po ashtu, mbetet e paqartë se kush do të financojë blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” për Ukrainën, të ofruara nga SHBA. Deri tani, vetëm Gjermania ka konfirmuar financimin e dy sistemeve të reja, duke e çuar numrin në pesë. Vendet e tjera partnere, si Danimarka dhe Holanda, janë shprehur të hapura për mbështetje, por nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar.