FLASH :

Bashkia Tiranë do të shtrojë 1 km rrugë që të çon te kazinoja për 1.2 miliardë lekë

Aksi rrugor që shkon drejt Liqenit të Thatë pritet t’i nënshtrohet një rehabilitimi tërësor. Bashkia Tiranë ka çelur tenderin me një fond limit prej 122.5 milionë lekë të reja, ose 1.25 milionë euro që synon jo vetëm asfaltimin e një segmenti të amortizuar prej mbi 1 kilometër, por edhe transformimin e të gjithë infrastrukturës urbane përreth.

Kjo rrugë kalon pranë hotelit dhe kazinosë së sipërmarrësit Lulzim Morina,  një emër i njohur për drejtësinë, i cili ka investuar në këtë zonë edhe në ndërtimin e disa pallateve rezidenciale.

Kujtojmë që qe vetë kryeministri Edi Rama ai i cili disa vite më parë “zbarkoi” te pallatet e Morinës dhe dha urdhërin për të sekuestruar një prej tyre, i cili ishte i ndërtuar totalisht pa leje dhe drejt përfundimit, por i “pa pikasur” nga inspektorët e bashkisë.

Sipas relacionit Teknik, punimet do të kryhen nga rruga që fillon nga Kopshti Zoologjik dhe përfundon te rrethrrotullimi i rrugës “Hiqmet Buzi”. Segmenti prej 1,150 metrash ka qenë me gjerësi të ndryshueshme, me trase të dëmtuar dhe probleme të theksuara me çedime, gropa dhe mungesë standardesh urbane.

Sipas bashkisë projektimi teknik është realizuar, ndërsa punimet përfshijnë ndërtimin nga e para të strukturës së rrugës me 4 shtresa, një asfalt final 4 cm, një shtresë binderi 6 cm, një stabilizant 15 cm dhe një shtresë çakëlli 30 cm – të gjitha të llogaritura sipas metodologjisë ndërkombëtare AASHTO për një jetëgjatësi mbi 20 vjet dhe për të përballuar trafik të rëndë urban.

Trotuare të reja do të vendosen në të dy anët e rrugës deri në stacionin e 775-të dhe në një anë për pjesën e mbetur, me beton të stampuar estetik dhe bordura mbrojtëse. Do të krijohen gjithashtu hapësira për ndalesat e transportit urban dhe një sinjalistikë e re vertikale dhe horizontale sipas Kodit Rrugor shqiptar.