Deputeti i zgjedhur i PD-së për qarkun e Shkodrës dhe ish-kryebashkiaku, Bardh Spahia, është rikthyer sot në sallën e Kuvendit, por në një mënyrë të pazakontë: me paterica dhe këmbën në allçi. Pamjet e hyrjes së tij në seancën plenare kanë tërhequr vëmendjen e kolegëve dhe publikut, duke i dhënë një nuancë të veçantë debutimit të tij parlamentar.
Gjithçka nisi disa javë më parë, kur gjatë një ndeshjeje futbolli me djalin dhe nipërit, Spahia pësoi një incident të papritur që përfundoi me thyerje të këmbës dhe kaviljes. Vetë ai e ka pranuar me humor situatën, duke e quajtur frakturën një “trofe” të fituar në sfidën sportive familjare:
“Shumë entuziazëm dhe energji, por në fund trofeun e fitova unë: frakturë e kaviljes dhe këmba në allçi. Tani pak javë në stol, por i rrethuar nga skuadra ime më e çmuar: familja,” shkroi Spahia në Facebook.
Sot, deputeti i opozitës debutoi zyrtarisht në foltoren e Kuvendit, i kufizuar fizikisht nga patericat, por i vendosur të mos mungojë në asnjë raund të “lojës politike” që sapo ka nisur. Një fillim i vështirë për të, por ndoshta edhe një metaforë e qartë për sfidat që e presin në jetën parlamentare.
Ndryshe nga kolegët që shpesh akuzohen se “thyejnë karriget” në sallë, Bardh Spahia këtë herë e ka thyer këmbën — fatmirësisht vetëm për arsye sportive e familjare. Rikthimi i tij në Kuvend, pavarësisht vështirësive, shihet si një shenjë e vendosmërisë për të mos qëndruar “jashtë loje”.