FLASH :

Barcelona gjen sulmues, ja kur do të bëhet prezantimi i Markus Rashford

Pas “jo”-së nga Niko Uilliams (rinovoi me Bilbaon) dhe pretendimeve të larta nga Liverpuli (Barcelona nuk jepte më shumë se 60 milionë euro), klubi katalanas nuk ka qëndruar duarkryq.

Dhe në pak orë ka mbyllur marrëveshjen me Mançester Junajtidin për huazimin e sulmuesit të “Djajve të Kuq”, Markus Rashford. Sipas marrëveshjes mes dy klubeve dhe asaj çfarë raportojnë mediat spanjolle, anglezi do të luajë për një sezon në formë huazimi, me Barcelonën që në fund të kësaj periudhe do të ketë mundësinë e blerjes së lojtarit për 30-35 milionë euro. Sipas gazetës “Mundo Deportivo”, Rashford do të jetë pjesë e Barcelonës për turneun aziatik të kampionëve të Spanjës, që do të nisë të enjten e ardhshme.

MARRËVESHJA – Operacioni për të sjellë Markus Rashford në Barcelonë është përshpejtuar ditët e fundit. Barcelona zgjodhi lojtarin e Junajtid në dritën e problemeve që po kishin me nënshkrimin e Luis Díaz, i cili kishte qenë gjithmonë opsioni numër një. Megjithatë, drejtoria sportive e klubit po i shihte problemet që paraqiste kjo, pasi Liverpuli nuk donte ta shiste kolumbianin. Në fakt, ata po refuzonin oferta shumë të rëndësishme nga Bajerni, që ishin praktikisht 70 milionë euro. Barcelona ishte e vetëdijshme se do ta kishte shumë të vështirë të nënshkruante me lojtarin dhe, nëse marrëveshja do të përfundonte, kjo do të ndodhte vetëm në fund të afatit kalimtar. Për këtë arsye, klubi vendosi të aktivizonte marrëveshjen me Rashford. Flik donte ta kishte përforcimin gati për turneun aziatik, i cili fillon të enjten me udhëtimin e ekipit të parë në Japoni dhe Korenë e Jugut.

BISEDIME TË AVANCUARA – Barcelona neë fakt ishte në bisedime të avancuara me sulmuesin anglez, pasi ai kishte rënë dakord prej kohësh të pranonte një ulje të konsiderueshme page për të nënshkruar për Barçën. Ai fitonte 18 milionë euro në sezon në Mançester dhe klubi katalanas nuk do ta paguante atë shumë. Ulja e pagës së lojtarit i hapi derën. Junajtid dëshironte një transferim përfundimtar, por Barcelona kërkoi një huazim me mundësi blerjeje për 30-35 milionë euro. Fillimisht, Junajtid donte 50 milionë euro, por Barcelona përfundimisht e uli çmimin në 35 milionë euro.

TELEFONATA ME FLIK – Sipas të njëjtit raport nga gazeta amerikane “Athletic”, trajneri i Barcelonës, Hansi Flik, ka folur me Rashford për të shpjeguar projektin e tij. Me këtë nënshkrim dhe duke pasur parasysh situatën financiare të Barcelonës, huazimi do ta ndihmonte anglezin të integrohej në Barça. Sakaq, mediat spanjolle kanë bërë me dije se Rashford do të prezantohet sot pasdite nga Barcelona, pasi të ketë mbyllur vizitat mjekësore.