FLASH :

Barbaria e radhës/ Rama shkatërron Pallatin e Kongreseve për të ndërtuar Kullë

Ditën e sotme në orën 13:00 , Këshilli Bashkiak i Tiranës do të vendosë për një nga aktet më kontroverse të qeverisë Rama në vitet e fundit: kalimin e Pallatit të Kongreseve në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë. Nëse ky projekt do të realizohet, nuk do të shembet vetëm një ndërtese , por do të shembet vetë zemra historike dhe kulturore e Tiranës, me qëllim që të ngrihet në vend të saj një kullë luksoze , një tjetër projekt i diskutueshëm privatizimi që shkel ligjet dhe kërcënon interesin publik.

Kryeministri Edi Rama, i njohur për “sindromën e vitit zero”, normalisht si urryes i  historisë dhe trashëgimisë , duket se ka marrë një rrugë shkatërruese, duke u përpjekur të zhdukë çdo kryevepër arkitekturore që nuk i përshtatet shijeve të tij personale dhe klientelës së ngushtë. Ish-piktori i dështuar që u kthye në CEO të betonit, është tashmë i vendosur të rrafshojë çdo kujtim historik për të ndërtuar kullat e tij luksoze, duke përdorur tokat shtetërore si prona të tij private.

Pallati i Kongreseve, simbol i një epoke dhe trashëgimi e vendit, do të zhduket nën gishtin e qeverisë, pa transparencë, pa konsultime publike dhe mbi baza ligjore shumë të dyshimta. Ky është vetëm hapi tjetër i një serie privatizimesh që pritet të çojnë në shkatërrimin e pronave shtetërore dhe kalimin e tyre në duar private, duke vënë në rrezik interesat e qytetarëve dhe të shtetit shqiptar.

Është koha që qytetarët dhe institucionet të ngrihen dhe të thonë “mjaft” ndaj grabitjes së pronës publike dhe shkatërrimit të historisë nga ‘Thagma’ e Ramës.