FLASH :

Barbarët pushtojnë detin në Durrës! Plazhet zaptohen pa nisur sezoni veror

Pa nisur ende sezoni turistik, plazhet e Durrësit po përballen me një fenomen alarmant: zaptimi i tyre nga subjektet private në mënyrë të paligjshme. Në zonën e Shkëmbit të Kavajës, një nga plazhet më të mëdha të Durrësit, tashmë ka filluar vendosja e shezlongëve dhe ndarja e hapësirave nga bizneset private, pavarësisht se lejet e plazheve nga Bashkia jepen vetëm për sezonin e verës.

Një qytetar ka denoncuar këtë situatë përmes fotove që tregojnë qartë se si disa biznese kanë filluar të pushtojnë hapësirat publike të plazhit që në muajt e dimrit, duke e kthyer bregdetin shqiptar në një territor të kontrolluar nga privatët. Ky fenomen i përsëritur vit pas viti tregon një problem të madh: mungesën e kontrollit dhe abuzimin e pronave publike nga individë dhe biznese të cilat, pa pritur as miratimin ligjor, i kthejnë plazhet në pronë të tyre personale.

Nga Plazhe Publike në Territore Private – Rreziku për Konflikte

Zaptojmë sot, shesim nesër! Kjo duket se është filozofia e privatëve që vendosin shezlongët dhe krijojnë barriera edhe para nisjes së sezonit. Situata është bërë edhe më e rëndë vitet e fundit, ku për të kaluar pushimet në Shqipëri, qytetarët janë të detyruar të paguajnë shuma të majme. Plazhet publike thuajse nuk ekzistojnë më, ndërsa çdo hapësirë e lirë është e mbushur me shezlongë që mund t’i përdorësh vetëm me pagesë.

Kjo situatë ka sjellë shpesh herë përplasje midis pushuesve dhe pronarëve të plazheve private. Konflikte të ashpra, madje edhe përleshje fizike, janë bërë të zakonshme në vijën bregdetare shqiptare për shkak të përvetësimit të hapësirave publike nga bizneset. Në vend që të gëzojnë një bregdet të lirë dhe të hapur për të gjithë, qytetarët gjenden përballë një realiteti ku çdo metër katror ka një çmim të vendosur nga privatët.

Pse Shqiptarët Po Braktisin Plazhet e Vendit të Tyre?

Në këto kushte, nuk është çudi që shumë shqiptarë po zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre jashtë vendit, në destinacione si Turqia, Greqia apo edhe vende të tjera, ku plazhet publike ekzistojnë dhe ofrojnë një numër të kënaqshëm hapësirash të lira. Për ironi, një pushim jashtë Shqipërisë shpesh rezulton më i lirë sesa një pushim brenda vendit, ku duhet të paguash për çdo hapësirë, madje edhe për të shkelur në një plazh shtetëror!

A do të ketë këtë vit një reagim nga autoritetet për të ndaluar këtë fenomen? Apo sërish, pushuesit do të përballen me privatë që kanë zaptuar çdo cep të bregdetit? Sezoni turistik ende nuk ka nisur, por “barbarët” e plazheve e kanë vendosur tashmë rregullin e tyre: paguaj ose largoju!