FLASH :

Barack dhe Michelle Obama në një darkë romantike në një restorant luksoz në Uashington, mes thashethemeve për divorc

Barack dhe Michelle Obama janë parë së bashku fundjavën që lamë pas, duke shijuar një darkë romantike në restorantin italian “Osteria Mozza” në lagjen Georgetown të Uashingtonit, në një shfaqje të qartë uniteti mes zërave në rritje për krizë në martesë.

Çifti duket se ka zgjedhur të përballet me thashethemet me buzëqeshje. Ish-presidenti përshëndeti klientët e tjerë dhe punonjësit e lokalit, ndërsa Michelle ecte përpara me kokën paksa të ulur dhe një shprehje më serioze në fytyrë. Klientët e pranishëm i pritën me duartrokitje, ndërsa videoja e momentit bëri xhiron e rrjeteve sociale.

Restoranti, që ofron pjata kryesore nga 34 deri në 175 dollarë, është kthyer në një nga të preferuarit e çiftit që prej hapjes në vitin 2024. Barack është parë aty edhe një ditë përpara inaugurimit të Donald Trump, ndërsa Michelle nuk e shoqëroi në atë rast dhe gjithashtu mungoi në funeralin e ish-presidentit Jimmy Carter në janar – gjë që kishte shtuar dyshimet për marrëdhënien e tyre.

Michelle kishte organizuar më parë edhe një darkë private për ekipin e saj po në këtë restorant, vetëm pak javë pas hapjes. Por kjo është hera e parë që çifti është parë bashkë publikisht që nga dhjetori, gati pesë muaj më parë.

Në një intervistë të fundit me aktoren Sophia Bush, Michelle iu referua zërave për probleme martesore, ndërsa Barack ka pranuar publikisht se ndodhet “në një borxh emocional të thellë” ndaj gruas së tij dhe po përpiqet të “kompensojë” me aktivitete të përbashkëta.

“Le të pushojnë tani ata që ishin të shqetësuar për martesën e tyre. Për mua do të jenë gjithmonë Presidenti dhe Zonja e Parë,” shkroi një mbështetës në komentet e videos virale. Ndërsa të tjerë vërejtën se “duket se e duan shumë atë vend – janë gjithmonë aty.”