Një grup banorësh të fshatit Tragjas kanë kundërshtuar me forcë ndërtimin e ujësjellësit që synon të furnizojë me ujë të pijshëm zonën turistike të Dhërmiut dhe fshatra të tjerë të bregut.
Protesta e tyre ka bllokuar punimet, duke lënë pezull një projekt që synon të zgjidhë një problem jetik për një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit.
Paradite, mbi 100 efektivë të Forcave Operacionale dhe FNSH-së Fierit u vendosën në Tragjas për të siguruar vijimin e punimeve.
Megjithatë, banorët kundërshtuan me forcë prishjen e një godine të vjetër që ka shërbyer si stacion pompimi, duke u përplasur fizikisht me policinë.
Disa protestues u shoqëruan nga forcat e rendit, por u lanë të lirë pas disa orësh. Pas tensioneve, u arrit një marrëveshje për të larguar mjetet e rënda nga zona, çka solli shpërndarjen e protestës.
Banorët pretendojnë se burimi i Izvorit nuk ka ujë të mjaftueshëm për zonën e tyre, e jo më për fshatrat e tjerë.
Megjithatë, të dhënat zyrtare nga Ujësjellësi i Vlorës tregojnë një tjetër realitet: nga burimi dalin rreth 1800 litra ujë në sekondë, ndërsa i gjithë konsumi i zonës është vetëm 700 litra në sekondë. Pjesa tjetër prej 1 100 litrash në sekondë derdhet në det në vend që të shkojë në Dhërmi për banorët e turistët.
Kjo do të thotë se edhe pas shfrytëzimit të pjesshëm të burimit, prurjet mbeten më shumë se të mjaftueshme për të përmbushur nevojat lokale.
Investimi nuk synon tharjen e burimit, por vetëm përdorimin e një pjese të tij për të furnizuar me ujë të pijshëm zonën e Dhërmiut dhe fshatrat përreth, që çdo verë përballen me mungesa të mëdha.
Tubacioni është shtruar tashmë nga Dukati deri në Dhërmi dhe nevojitet vetëm lidhja në Tragjas, çka do të thotë se investimi është kryer thuajse tërësisht.
Pavarësisht këtyre fakteve, banorët e Tragjasit po tentojnë ta bllokojnë.
Ky bllokim i punimeve vë në rrezik furnizimin me ujë të një prej zonave më të rëndësishme turistike të Shqipërisë, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet reale të kundërshtimit të projektit nga banorët.
Mesa duket banorët e Tragjasit janë më të interesuar që uji të derdhet në det, sesa të shkojë në zonën turistike më të frekuentuar të Shqipërisë.
Tv Klan