FLASH :

Bankat edhe më ‘dorështrënguar’ me kredinë për shtëpi, tavanet për huanë për blerje banesë do frenojnë kredinë

Gjysma e dytë e vitit 2025 pritet të sjellë një ngadalësim të ndjeshëm në huadhënien për blerje banesash, ndërsa bankat paralajmërojnë se do të aplikojnë kritere më të forta për miratimin e kredive. Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se kjo prirje lidhet drejtpërdrejt me kufizimet e reja të vendosura për të ulur rrezikun nga ekspozimi në tregun e pasurive të paluajtshme.

Nga 1 korriku kanë hyrë në fuqi rregulla të reja, sipas të cilave bankat nuk mund të financojnë më shumë se 85% të vlerës së banesës së parë dhe vetëm 80% për të dytën. Po ashtu, kësti mujor nuk duhet të kalojë 40% të të ardhurave të individit, dhe 35% për banesat e dyta e më shumë. Kërkesat janë edhe më të rrepta kur kredia jepet në valutë të huaj.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto kufizime do të frenojnë jo vetëm huadhënien, por edhe kërkesën për kredi nga qytetarët, sidomos për banesën e parë. Në fund të vitit 2024, vlera e kredisë për banesa arriti në mbi 2 miliardë euro – një rritje e ndjeshme nga 1.8 miliardë në vitin pararendës – çka ka nxitur bankat dhe autoritetet mbikëqyrëse të vendosin masa mbrojtëse për sistemin financiar.