FLASH :

Banka e Shqipërisë frenon kreditë për shtëpi, vendos kufij të rreptë për huamarrësit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi masa të reja kufizuese për kreditë bankare për blerje banesash, duke vendosur tavane për raportin kredi-vlerë dhe raportin e borxhit ndaj të ardhurave. Këto masa, që hyjnë në fuqi në vijim, synojnë të ulin rrezikun e huamarrjes së tepruar dhe të mbrojnë sistemin bankar nga tronditje makroekonomike. Për shtëpinë e parë në lekë, banka do të mund të financojë deri në 85% të çmimit të pronës, ndërsa për të dytën 80%. Në valutë të huaj, këto kufij zbresin në 75% dhe 70%. Gjithashtu, kufizohet edhe pesha e kësteve të kredisë ndaj të ardhurave, që nuk duhet të kalojë 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për të dytën në lekë (respektivisht 35% dhe 30% në valutë). Masat janë në përputhje me rekomandimet e FMN-së dhe pasojnë një rritje rekord të kredive për banesa në 2024, me një total prej 54.9 miliardë lekësh. Me këtë vendim, Banka Qendrore synon frenimin e mbinxehjes së tregut imobiliar dhe forcimin e kontrollit të riskut kreditues.