FLASH :

Bandat nuk kursejnë askënd: Vrasje, droga dhe thika në zemër të Britanisë elegante

Nga qytete të qeta në epiqendra të rrezikut: Rritje dramatike e krimeve me thikë në Norwich dhe Guildford për shkak të bandave të drogës

Njëra është një qytet katedraleje mahnitës, i njohur për 31 kishat e saj mesjetare. Tjetra është një qytet i pasur tregu në zemër të zonës më të shtrenjtë të Surrey. Por ndërsa Norwich dhe Guildford janë prej kohësh ndër vendet më të dëshirueshme për të jetuar në Britani, të dy po fshehin një kërcënim modern: krimin me thikë.

Krimet me thikë janë rritur në mënyrë dramatike në qarqet përkatëse: me 196% në Norfolk dhe një rritje thuajse të pabesueshme prej 681% në Surrey, gjatë tetë viteve të fundit. Edhe pse shifrat mbeten më të ulëta krahasuar me pjesën tjetër të vendit, ekspertët e krimit po e konsiderojnë këtë si pjesë të një fenomeni kombëtar alarmues.

Analiza e MailOnline mbi të dhënat policore tregon se qarqet rurale si Gwent (+240%), Avon dhe Somerset (+134%) kanë parë gjithashtu rritje të madhe. Profesori i kriminologjisë David Wilson e lidh drejtpërdrejt këtë me tregtinë e drogës të tipit county lines, ku bandat urbane dërgojnë të rinj në zonat rurale për të shpërndarë drogë.

“Kjo sjell konkurrencë, e cila më pas sjell dhunë. Për shkak të ligjeve të forta për armët, thikat janë zgjedhja e parë. Por kjo nuk është vetëm çështje policie, është krizë sociale e cila prek shkollat, shërbimet për të miturit dhe shëndetin mendor”, thotë Wilson.

Një realitet i frikshëm pas pamjes së qetë

Në një pasdite të këndshme në Norwich, gjithçka dukej e qetë – derisa zbulon se javë më parë, qyteti u përfshi nga episode dhune të përmasave të mëdha, përfshirë rrahje, grabitje dhe përdorim armësh. Një adoleshent është akuzuar për tentativë vrasjeje, ndërsa një tjetër, Riley Mckinley-Green, 18 vjeç, u dënua me gati 5 vite burg për therje të qëllimshme.

Në një rast tjetër famëkeq, Joe Dix, pjesë e bandës së njohur 3rdside, u vra në 2022 nga banda rivale Only The Money. Dy vrasësit e tij, të dy 19 vjeç, u dënuan me nga 21 vite burg.

Roberto Labella, 20 vjeç, që punon në një Subway në Norwich, shprehu shqetësim: “Sot i sheh me thika të mëdha, madje edhe me maçeta. Është frikësuese. Gjithçka po glorifikohet nga rrjetet sociale dhe muzika ‘drill’”.

Surrey, një parajsë e pasur që nuk shpëton dot

Surrey, pranë Londrës, për dekada ka tërhequr banorë të pasur, por është kthyer në treg të ri për bandat urbane. Në Guildford, janë kapur shpërndarës droge me çanta kokaine në makina apo të fshehura në rroba. Banda Scouse Chez dhe emra si Fatjon Nezaj janë mes të arrestuarve që udhëhiqnin këto linja.

Në vetëm një vit, përdorimi i thikës në Surrey është rritur me 13% dhe përfshin edhe raste vrasjesh. Një nga këto ishte vrasja tragjike e Charlie Cosser, 17 vjeç, që u ther në një festë. Babai i tij, Martin Cosser, ka nisur fushata në shkolla dhe ngritur organizatën Charlie’s Promise, duke kërkuar futjen e edukimit kundër armëve në shkolla.

“Krimi me thikë nuk është thjesht çështje qyteti apo e klasës punëtore. Mund të ndodhë kudo, edhe në një fshat të qetë si ky ku jetoj”, thotë Cosser. “Ka një naivitet të pasur që beson se këto gjëra nuk i prekin”.

Ai tregon se vetëm në Surrey dhe Sussex operojnë 35 banda county lines, që shfrytëzojnë fëmijët me metoda të sofistikuara, si ofrimi i ushqimit falas për të krijuar varësi e pastaj përfshirje në krime.

Një krizë në rritje dhe pa zgjidhje të shpejtë

Ekspertët nga RUSI vërejnë se linjat e trafikut janë bërë më të shkurtra dhe shpesh veprojnë brenda një qarku të vetëm. Ndonëse përfshirja e fëmijëve është ende shqetësim, po rritet pjesëmarrja e të rriturve të pambrojtur që futen pa vetëdije në rrjetin kriminal përmes premtimeve për para apo dhurata.

Në të njëjtën kohë, operacionet policore po kapin ton drogë, armë dhe qindra mijëra paund. Por për sa kohë që kërkesa për drogë në qytetet dhe fshatrat britanike vazhdon, bandat do të gjejnë gjithmonë një mënyrë për ta përmbushur atë.