FLASH :

Balluku vë njerëzit e saj nënkryetarë në Bashkinë Tiranë

Mesditën e sotme pritet të zhvillohet një mbledhje vendimtare në Bashkinë e Tiranës, ku do të komunikohet zyrtarisht largimi i nënkryetarëve aktualë dhe emërimi i katër figurave të reja në krye të administratës bashkiake.

Nga burime të brendshme në bashkinë Tiranë, mësohet se Vasilika Vjero, Blend Sulaj, Ilir Mengra dhe Gentian Keri janë emrat që pritet të zënë postet e nënkryetarëve të rinj. Të katër emrat cilësohen si figura të afërta me zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila duket se po zgjëron ndikimin e saj mbi administrimin e kryeqytetit, pas dobësimit politik të Erion Veliajt.

Lëvizjet vijnë pas një urdhri të Kryeministrit Edi Rama më 21 korrik, ku kërkoi ristrukturimin e thellë të Bashkisë së Tiranës, përfshirë largimin e të gjithë nënkryetarëve dhe hapjen e një gare të re për pozicionet drejtuese, ku të gjitha kandidaturat duhet të prezantojnë platforma dhe të kalojnë në intervista përpara një komisioni të përbërë nga figura si Blendi Gonxhja, Ogerta Manastirliu dhe Petrit Malaj.

Zëvendëskryeministrja Balluku, që tani po i bie të jetë edhe “nënkryetare e përgjithshme e bashkive”, është vendosur në krye të procesit të përzgjedhjes, ku jo vetëm që cakton emrat, por edhe garanton besnikërinë politike dhe koordinimin vertikal, nga Kryeministria në Bashki.

Nga një proces që duhej të ishte “garë e hapur”, mësohet se përzgjedhjet janë bërë më shumë me kritere biografike politike sesa profesionale, ndërsa disa nga figurat e përjashtuara deri më tani kanë qenë të afërt me ish-kryetarin Erion Veliaj.