Një valë e fortë dhe e zgjatur e të nxehtit pritet të përfshijë rajonin e Ballkanit në ditët në vijim, duke arritur kulmin midis datave 21 dhe 26 korrik 2025. Temperaturat do të jenë 8 deri në 10 gradë më të larta se mesatarja e periudhës 1991–2020, duke tejkaluar në disa zona edhe rekordet historike të viteve të kaluara.
Sipas ekspertëve të Institutit të Gjeoshkencave, zonat më të prekura do të jenë Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia jugore dhe Turqia perëndimore, ku pritet që temperaturat maksimale të kapërcejnë 42–44°C. Ky fenomen vjen si pasojë e masave të fuqishme të ajrit të nxehtë nga Afrika e Veriut, të cilat janë drejtuar drejt Mesdheut Lindor, ndërkohë që Evropa Perëndimore po përjeton valë ajri më të ftohtë.
Të dhënat klimatike tregojnë se në pesëvjeçarin e fundit temperaturat kanë qenë mesatarisht 1–2 gradë më të larta sesa periudha 1960–1990. Në verërat e viteve të fundit, ky devijim ka shkuar deri në 3–5 gradë, duke dëshmuar një përkeqësim të ndjeshëm të klimës. Sipas statistikave, viti 2024 ka shënuar një anomali prej +5.8°C në temperaturat maksimale, ndërsa për muajin korrik të po këtij viti, temperaturat minimale shënuan gjithashtu anomali pozitive deri në +3.0°C.
Shqipëria përjeton goditjen e tretë të të nxehtit këtë verë
Vetëm dy javë më parë, Shqipëria dhe pjesa më e madhe e Ballkanit u përballën me një valë tjetër të të nxehtit, me temperatura që në disa qytete si Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Gjirokastra arritën 39–40°C, duke e bërë 7 korrikun ditën më të nxehtë të vitit deri më tani.
Sipas Inxh. Anira Gjoni, eksperte në Departamentin e Meteorologjisë pranë IGJEO, ky është një ndryshim i madh krahasuar me dy dekada më parë, kur gjatë gjithë korrikut zakonisht përjetohej vetëm një valë e nxehti. Aktualisht, verës së vitit 2025 i është shënuar tashmë vala e tretë, me gjasë që kjo të mos jetë e fundit.
Pasojat: Rrezik për shëndetin, mjedisin dhe energjinë
Ekspertët paralajmërojnë se ndikimet e kësaj vale të të nxehtit do të jenë të ndjeshme:
Rrezik i lartë për shëndetin publik, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Presion mbi rrjetet energjetike, për shkak të kërkesës së lartë për ftohje.
Rritje e rrezikut për zjarre, sidomos në zonat pyjore dhe bujqësore.
Roli i pemëve dhe natyrës si zgjidhje
Ekspertët nënvizojnë se zgjidhjet e bazuara në natyrë duhet të jenë prioritet në planifikimin urban. Sipas studimeve, temperatura në zonat urbane mund të ndryshojë deri në 8–11°C, në varësi të mbulesës së gjelbër dhe prezencës së pemëve. Rritja e hapësirave të gjelbra, çatitë dhe muret e gjelbërta, si dhe krijimi i parqeve urbane, mund të ndihmojnë jo vetëm në përballimin e valëve të të nxehtit, por edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës në qytete.
“Natyra është aleati ynë më i fuqishëm në përballje me krizën klimatike jo vetëm për freski, por për jetë”