Pamjet tronditëse nga një kamera “Ring” tregojnë momentet e fundit të një takimi familjar që përfundoi në tragjedi. Travis Decker, 32 vjeç, veteran i ushtrisë amerikane, është në kërkim nga autoritetet pasi dyshohet se vrau tri vajzat e tij të mitura – Paityn, 9 vjeçe, Evelyn, 8, dhe Olivia, 5 – gjatë një vizite të zakonshme prindërore në shtetin e Uashingtonit.
Në videon e siguruar nga autoritetet, Decker shfaqet me flokë të gjata të lidhura bisht, me mjekër dhe mustaqe, veshur me një bluzë të çelur dhe pantallona të errëta. Pamjet u bënë publike nga zyra e Sherifit të Qarkut Chelan për të ndihmuar identifikimin e tij nga publiku, ndërkohë që Decker vijon të jetë i lirë dhe i armatosur me përvojë të gjerë në mbijetesën në natyrë.
Tragjedia ndodhi vetëm pak ditë pasi ai mori vajzat për një takim treorësh dhe nuk i ktheu më. Kufomat e tyre u zbuluan në një kamp pranë Leavenworth, me çanta plastike mbi kokë dhe duart e lidhura me zip-tie – një krim që autoritetet e përshkruajnë si të ftohtë dhe të planifikuar.
Decker, një ish-parashutist me gradën e elitës “Ranger” në Ushtrinë Amerikane dhe më vonë pjesëtar i Gardës Kombëtare, ka munguar në stërvitjet e detyrueshme për më shumë se një vit. Sipas autoriteteve, ai ishte në proces shkarkimi disiplinor.
Nëna e vajzave, Whitney, e kishte njoftuar policinë për zhdukjen e tyre dhe kishte ngritur shqetësime për gjendjen mendore të Decker. Ajo kishte theksuar se ai vuante nga çrregullime të shëndetit mendor dhe refuzonte të merrte trajtimin e rekomanduar. Pavarësisht kësaj, ajo nuk kishte besuar kurrë se ai do t’i bënte keq vajzave, të cilat, sipas saj, e donin shumë të atin.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se Decker mund të jetë duke jetuar jashtë rrjetit, duke përfituar nga aftësitë e tij të avancuara të mbijetesës në natyrë. Ai është përshkruar si 1.72 metra i gjatë, me flokë të zeza dhe sy kafe. Një shpërblim deri në 20,000 dollarë është vënë në dispozicion për informacion që çon në arrestimin e tij.
Ndërkohë, një fushatë “GoFundMe” për nënën e viktimave ka mbledhur mbi 689,000 dollarë, me mesazhe solidariteti që shprehin dhimbjen për humbjen e vajzave, të cilat përshkruhen si “drita të vogla që ndriçonin botën”.
Policia këshillon publikun të mos i afrohet Decker nëse e shohin dhe të kontaktojnë menjëherë autoritetet.






