Në prag të pelegrinazhit të përvitshëm në Teqenë e Kulmakut dhe tyrben e Abaz Aliut në Malin e Tomorrit, që do të zhvillohet nga data 18 deri më 25 gusht 2025, Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka bërë një thirrje të fortë për kujdes të shtuar ndaj rrezikut nga zjarret.
Përmes një njoftimi zyrtar, Baba Mondi, kreu shpirtëror i komunitetit bektashian, u kërkon të gjithë besimtarëve dhe pelegrinëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambientet e hapura dhe të tregojnë kujdes të veçantë me ndezjen e qirinjve, në mënyrë që të mos krijohen vatra të reja zjarri në kushtet e një situate tashmë të rënduar në të gjithë territorin e vendit.
“Nisur nga situata e rënduar e vatrave të zjarrit, të shtrira në të gjithë territorin e vendit, me qëllim parandalimin e vatrave të reja, ju lutemi të gjithë besimtarët të tregojnë kujdes maksimal gjatë pelegrinazhit”.
Kujtojmë se zona e Tomorrit është shpallur park kombëtar dhe çdo incident i shkaktuar nga pakujdesia, mund të sjellë pasoja të rënda për natyrën dhe komunitetin. Autoritetet lokale dhe forcat zjarrfikëse do të jenë të pranishme për të monitoruar situatën gjatë gjithë javës së pelegrinazhit.