Meklant Braha, një shqiptar që kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në Britani tre vite më parë duke kaluar Kanalin e La Manshit me një varkë, është liruar nga gjykata pasi u shpall fajtor për mbajtje të një arme të rrezikshme në vend publik.
Gjykata u informua se kërkesa e tij për azil ishte refuzuar në vitin 2023, por ai është në proces apelimi dhe aktualisht po ndihmon në lokalin e xhaxhait të tij në një qytet bregdetar.
Magjistratët dëgjuan se, pas përfundimit të një turni në barin në Bournemouth, Dorset, 20-vjeçari pretendoi se kishte parë një sherr pranë klubit të natës “Cameo” dhe kishte ndërhyrë për të ndihmuar.

Megjithatë, Braha, i dehur në atë moment, tha se ishte ndjerë i kërcënuar dhe kishte nxjerrë një hapës vere nga xhepi për të “hapur rrugën me forcë”.
Prokurori Robert Salame i tha Gjykatës së Magjistraturës në Poole:
“Një përleshje ndodhi jashtë klubit të natës Cameo mes dy individëve, të pandehurit dhe një personi tjetër. Pas një debati verbal, ndodhi përleshja, ku i pandehuri goditi një burrë me një hapës vere.”
Braha i tha policisë se e kishte haruar hapësin e verës në xhep pas punës. Ai u mbajt në paraburgim për shtatë ditë ndërsa u verifikua statusi i tij i emigracionit.
Gjykata dëgjoi se ai ishte vetëm 17 vjeç kur kishte udhëtuar vetëm nga Shqipëria në Francë dhe më pas kishte kaluar Kanalin, ku ishte dorëzuar tek autoritetet britanike për të kërkuar azil.
Ai pretendon se është i kërcënuar nga persona në Shqipëri që mund ta vrasin.

Nuk dihet arsyeja pse kërkesa e tij për azil është refuzuar, por ai është në proces apelimi.
Isobel Laughton nga Shërbimi i Probacionit tha të mërkurën në gjykatë:
“Ai udhëtoi nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar tre vjet më parë. Kishte probleme në shtëpi dhe nuk mund të kthehet mbrapsht. U nis vetë për në Francë, një udhëtim që e përshkroi si të frikshëm, ku dëgjonte shpesh të shtëna armësh në pyllin ku fshihej.
U fut fshehurazi në një varkë dhe kur mbërriti në Britani iu dorëzua policisë dhe kërkoi azil.
Ai është një azilkërkues i refuzuar, por ka një apel të hapur. Nuk do të merret asnjë vendim për deportimin e tij derisa të përfundojë kjo çështje penale, megjithatë ai nuk ka të drejtë ligjore për të qëndruar në Britani.”

Gjykata u informua se më parë kishte marrë ndihmë financiare nga shteti, por ajo ishte ndërprerë. Megjithëse nuk ka të drejtë ligjore për të punuar, ai ndihmon në barin e xhaxhait “për të justifikuar qëndrimin” dhe është regjistruar në kolegj për të mësuar anglisht dhe matematikë.
Braha, i cili nuk ka precedentë penalë, pranoi fajësinë për posedim të një arme të rrezikshme në vend publik.
Avokati i tij, Kevin Hill, tha:
“Ai e pranon që ishte i dehur, kishte njerëz që po ziheshin dhe u përfshi në konflikt sepse ishte i shqetësuar për një vajzë të re. Në atë moment ndjeu se kishte nevojë të vetëmbrohej dhe kishte hapësin e verës në xhep.
E pranon që e teproi dhe se perceptimi dhe gjykimi i tij ishin ndikuar nga alkooli. Ai ka shprehur pendesë dhe është shumë i keqardhur për këtë situatë.”

Kryetari i trupit gjykues, Mike Trevett, tha:
“Dëgjuam shumë për statusin e tij të azilit dhe emigracionit, por i kemi lënë mënjanë këto çështje pasi nuk jemi këtu për këtë. Ju u përfshitë në një sherr që ishte duke ndodhur dhe kjo përbën rrezik për trazira serioze. Dëgjuam që keni përdorur hapësin e verës si armë, megjithëse nuk jeni akuzuar për sulm fizik.”
Braha, i cili banon me xhaxhain në Poole, u dënua me katër muaj burg me kusht, u urdhërua të kryejë 200 orë punë pa pagesë, dhe të paguajë 154 paund taksë penale dhe 85 paund shpenzime gjyqi.







