Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për avokatin e njohur Besart Logu.
“Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Shkallës së Parë miratoi më 9 shtator 2025, vendimin nr. 91, duke caktuar masën ‘Arrest në shtëpi’, ndaj shtetasit B.L., me profesion avokat. Kjo masë është kërkuar pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se ai ka kryer veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Ekzekutimi i vendimit u krye më 10 shtator 2025, me ndihmën e Policisë së Shtetit.
SPAK e kishte regjistruar që më 27 nëntor 2024 procedimin penal ndaj tij, pas kallëzimit të shtetasit S.C., për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të drejtësisë” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Hetimet dhe provat
Nga hetimet proaktive të BKH-së dhe Policisë së Shtetit rezultoi se më 13 dhjetor 2024, avokati Logu ka marrë 8 mijë euro, shumë e dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit. Kjo shumë dyshohet se ishte dhënë me qëllim që ai të ndikonte te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që po shqyrtonin një çështje penale ndaj klientit të tij S.C.
Sipas SPAK, shuma prej 8 mijë euro nuk ishte pagesë për shërbime ligjore, por ryshfet për lirimin nga burgu të klientit S.C. Megjithatë, ky premtim nuk është realizuar.
