FLASH :

Avokatët kundër projekt-kodit të ri penal, Haxhia: Skandaloz, dispozitat të paqarta

Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, ka dalë në një konferencë për shtyp këtë të mërkurë, ku shprehu kundërshtimin e fortë ndaj projekt-kodit të ri penal.

Haxhia theksoi se ky kod shkel standardet dhe ka dënime represive dhe jashtëzakonisht të rënda, me mundësi shtesë dënimi deri në gjysmën e kohës së dënimit fillestar, duke theksuar se avokatët nuk dinë as sot se kush ka qenë pjesë e trupës së ekspertëve që e ka përgatitur këtë projekt.

“Ky kod ka dispozita të paqarta dhe konfuze, si neni 537, i cili bie ndesh me parimet e avokatisë. Ata që e kanë bërë këtë ligj nuk e njohin fare avokatinë, dhe do jetë një turp nëse e njohin që nuk dinë sesi funksionon avokatia. Në këtë kod nuk ka asnjë prezencë të qartë të nevojës pse duhet të bëhej ky kod. Ideja se reforma në drejtësi solli nevojën për këtë kod të ri nuk qëndron. Që nga viti 1995, kur është bërë kodi i fundit, janë ndryshuar dhe janë bërë amendamente, shtuar apo fuqizuar 23 herë polusi dhe katër vendime të Gjykatës Kushtetuese,” tha Haxhia.

Ai shtoi se arsyetimi se ky kod bëhet për shkak të angazhimit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është bindës.

“Drafti i Kodit Penal ka një sërë problemesh serioze. Duhej të shoqërohej me një komunikim të qartë për të gjithë aktorët, duke shpjeguar nevojën që çoi në përgatitjen e këtij drafti. Një kod i tillë, që është i ngarkuar me dispozita të paqarta, me dënime të tepërta dhe me teknika të vështira, nuk besoj që do të pranohet nga Europa. Për të bërë një kod të ri, duhet të jenë të gjithë aktorët e drejtësisë përfshirë, pasi kodi penal nuk mund të riparohet në këtë mënyrë,” tha ai.

Ai njoftoi se Dhoma Kombëtare e Avokatisë gjatë gushtit do të punojë intensivisht për të përgatitur një qëndrim teknik që do të prezantohet para forcave politike dhe Komisionit të Ligjeve, me qëllim që ky projekt-kod të mos kalojë në parlament.

“Nuk dihet se kush ka qenë pjesë e trupës së ekspertëve që përgatitën këtë kod, por kundërshtimin tonë do ta paraqesim edhe në Dhomën e Avokatëve në BE dhe, nëse është e nevojshme, do ta kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse shpresojmë të mos arrijmë deri aty. Ky projekt është skandaloz dhe ka nevojë për rishikim nga juristët.

“Po gjykoj këtë kod të ri, ai nuk është produkt i Ministrisë së Drejtësisë, gjë që tregon se edhe komisioni që është mbledhur nuk është përzgjedhur me logjikë. Asnjëherë në botë prokurorët dhe gjyqtarët nuk bëjnë kodet penale. Nuk ka vend në botë ku prokurorët dhe gjyqtarët të jenë anëtarë të komisionit për hartimin e kodit penal apo çfarëdo kodi tjetër,” përfundoi Maks Haxhia.