Avioni emergjent i komandës së Presidentit Donald Trump, i njohur si “Doomsday Plane” (Avioni i Ditës së Fundit), është pikasur teksa bëri një fluturim të pazakontë nga Luiziana drejt Maryland-it, të martën.
Boeing E-4B “Nightwatch”, i projektuar si një postë fluturuese komande për zyrtarët më të lartë në kohë krize, është ndërtuar për të mbijetuar edhe ndaj një sulmi bërthamor dhe për të koordinuar operacione ushtarake në kushte ekstreme.
Fluturimi nisi nga Bossier City në orën 17:56 me orën lokale, ndoqi bregun lindor, bëri një rreth në kufirin midis Virxhinias dhe Karolinës së Veriut, dhe zbriti në bazën e përbashkët ushtarake Andrews në orën 22:01.
Misioni zgjati më shumë se katër orë dhe ndezi spekulime online, veçanërisht pasi përdori një thirrje radioje të papërdorur më parë — ORDER01 — në vend të kodit të zakonshëm ORDER6.
Fluturime të tilla janë pjesë e rutinës për katër avionët E-4B të flotës amerikane, për të ruajtur gatishmërinë operacionale të ushtrisë. Por sipas disa analistëve, ky udhëtim mund të lidhet me rritjen e sigurisë për presidentin, mes tensioneve në rritje për një përplasje të mundshme bërthamore në Lindjen e Mesme.
Alarmi është rritur pas raportimeve se Trump është i gatshëm të mbështesë ushtarakisht Izraelin kundër Iranit, duke kërkuar “dorëzimin pa kushte” të Teheranit.
Por lideri suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi të mërkurën përmes një deklarate televizive ku theksoi se vendi i tij “nuk do të pranojë kurrë” thirrjet e Trumpit për dorëzim pa kushte.


Avioni E-4B u ngrit nga Barksdale Air Force Base, por zakonisht është i vendosur në bazën Offutt në Nebraska.
Sipas të dhënave të FlightAware, avioni fillimisht u nis nga afër Window Rock, Arizona në orën 10:37 të mëngjesit të së martës, për të shkuar drejt Luizianës.
Këto avionë shpesh vendosen në baza të ndryshme për të qenë gati për misione emergjente ose për stërvitje operacionale.
Në të kaluarën, E-4B është përdorur për transportimin e ekipeve të emergjencës FEMA dhe si pikë komande gjatë uraganit Opal në vitin 1995. Po ashtu, pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, një prej këtyre avionëve u përdor si strehë e sigurt për presidentin George W. Bush.
Megjithatë, jo të gjitha fluturimet e E-4B janë të lidhura me krizën bërthamore — Sekretari i Mbrojtjes e përdor herë pas here këtë avion për udhëtime ndërkombëtare.
Qëllimi i fluturimit të së martës mbetet ende i paqartë, por ai ndodhi vetëm disa orë para se Khamenei të deklaronte se Irani “do të qëndrojë fort përballë një lufte të imponuar, njësoj siç do të qëndrojë fort edhe përballë një paqeje të imponuar.”
“Nuk do të dorëzohemi kurrë përballë askujt,” tha ai në komentet e para televizive që prej sulmit surprizë të Izraelit të premten.
Khamenei iu referua edhe deklaratave të Trumpit, duke thënë: “Njerëzit e mençur që e njohin Iranin dhe historinë e këtij kombi nuk do të guxonin kurrë të flisnin me këtë popull me gjuhën e kërcënimit.”
“Ata duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të sjellë pasoja të parikuperueshme,” shtoi ai.
Khamenei e cilësoi fushatën ushtarake të Izraelit si një “gabim të madh” dhe premtoi se “do të ndëshkohet.”

SHBA zotëron gjithsej katër avionë E-4B, me aftësi unike që nuk përsëriten nga asnjë avion tjetër i Forcave Ajrore Amerikane.
Këta avionë janë të mbrojtur nga rrezatimi termik dhe bërthamor, mund të përballojnë shpërthime bërthamore, efekte elektromagnetike dhe sulme kibernetike. Janë të aftë të lëshojnë edhe raketa kundërpërgjigjeje.
E-4B është i pajisur me teknologji që mundëson komunikim global dhe mbështetje për analizë e strategji në fluturim. Ka 67 antena dhe pjata satelitore në strukturën e sipërme të avionit.
Avioni ka tre kate të brendshme, me dhomë komande, sallë konference, dhomë informimi, hapësirë pune në grup, dhomë komunikimi dhe zonë pushimi me 18 krevate.
E-4B mund të qëndrojë në ajër për më shumë se 35 orë pa ndalim dhe është projektuar të funksionojë në fluturim për deri në një javë pa pasur nevojë të ulet. Avioni ka gjithashtu kapacitet për furnizim me karburant gjatë fluturimit.







