Një tjetër deklaratë e papërgjegjshme nga Kryeministri Edi Rama ka shokuar opinionin publik, teksa ka zgjedhur të etiketojë si “popull autik” ata që votojnë opozitën, ose ndryshe siç ai e quan “kënetë”. Por ky lloj fjalori e kalon totalisht retorikën politike, ky fjalor është fyerje njerëzore. Kur gjuha politike harron çdo ndjeshmëri dhe harron realitetin e mijëra familjeve shqiptare që përballen çdo ditë me autizmin si sfidë të jetës.
Deklarata e Ramës nuk është thjesht e pakujdesshme, ajo është një goditje e ulët ndaj një kategorie të tërë qytetarësh. Autizmi nuk është përbuzje, autizmi nuk është fyerje. Është jetë. Është një realitet i rëndë në Shqipëri, në fakt një realitet i lënë në hije nga institucionet, pa statistika zyrtare, pa përkujdesje sociale dhe pa respekt në diskursin publik.
Ndjesa publike e Ramës, nuk mjafton. Dëmi është bërë dhe është i thellë, pasi është dëm shpirtëror. Si mund të ndihet një prind, i cili ka fëmijën autik dhe dëgjon etiketime të tilla nga kryeministri i vendit?
E ndërsa fyen qytetarët e zakonshëm, le të ndalemi pak te “nxënësit shembullorë” të bankës së parë që ai i promovon me krenari.
Dy djem në dukje si nxënës shembullorë , ose si autike-gjeniale të Ramës, siç janë Jonaid Myzyrim dhe Alqi Bllako, po na dalin ne fakt se janë marifetçinjë dhe e kanë dorën shumë të gjatë.
Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, është zyrtarisht nën hetim nga SPAK për shpërdorim detyre në lidhje me një tender për spërkatjen e mushkonjave. Ai ka injoruar një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, duke vepruar përtej kompetencave të tij.
Ndërsa Alqi Bllako, ish-sekretar i Ministrisë së Mjedisit, është dënuar me 4 vite burg për aferën e inceneratorit të Tiranës, një dënim që, falë gjykimit të shkurtuar, i kthehet në 2 vite e 8 muaj burg. Ai u shpall fajtor për korrupsion pasiv në dy raste, përfshirë një pagesë prej 120 mijë eurosh nga kompania e Klodian Zotos.
Këta janë “autikët” e vërtetë të sistemit. Jo qytetarët me aftësi ndryshe, por ata që kanë degraduar sistemin publik dhe e kanë mbushur me korrupsion.
Mes sarkazmës së Ramës dhe realitetit të fëmijëve me autizëm, ne qëndrojmë përkrah qytetarëve. Fyerja ndaj një komuniteti të tërë nuk mund të kalojë thjeshtë si një pakujdesi e rradhës, sidomos nga një njeri që kërkon votën e popullit. Të tillë deklarata nuk janë më çështje politike, janë plagë njerëzore. Në fund të ditës, nuk është populli që duhet të turpërohet për zgjedhjet e tij politike, por pushteti për mënyrën si i përbuz ata që e mbajnë në këmbë.







