FLASH :

Aulona Musta rrëfen për herë të parë një histori personale prekëse: “Gjyshja më shpëtoi jetën”

Gazetarja dhe moderatorja Aulona Musta ka ndarë për herë të parë një histori shumë personale nga fëmijëria e saj, gjatë një interviste televizive ku u shfaq më e hapur se kurrë më parë për të kaluarën.

Ajo tregoi se në moshë të vogël ka kaluar një sëmundje të rëndë që e vuri në rrezik jetën. Në atë periudhë të errët, kur gjithçka dukej e pasigurt, Aulona zbulon se ka qenë pikërisht gjyshja e saj që u kthye në forcën e saj shpirtërore. “Çdo mbrëmje vinte në spital, më rrinte te koka, më jepte kurajë dhe më përqafonte me dashuri,” rrëfeu ajo.

Për Aulonën, gjyshja ishte një engjëll mbrojtës, dhe dashuria e saj e pakushtëzuar u bë shtylla që i dha forcën për të përballuar sëmundjen. Rrëfimi i saj emocional ka prekur zemrat e shumë ndjekësve, duke sjellë në vëmendje rolin e jashtëzakonshëm që gjyshërit kanë në jetën e fëmijëve.

“Kur kam qenë e vogël kam kaluar një sëmundje të rëndë, goxha të rëndë, ku mjekët i kanë thënë mamit tim që është mrekulli që Aulona është në jetë dhe për një muaj, një muaj e pak kam ndenjur në spital. Çdo darkë nëna vinte atje që rrinte me mua që të mos isha vetëm. Sot e kësaj dite kam atë imazhin e saj që e shikoja kur isha e shtrirë dhe ajo futej tej dera dhe sot ajo që nuk jeton më, u bënë shumë vite, ia ndiej mungesën në mënyrë të jashtëzakonshme. Kam fatin e madh që kam ende në jetë nënën tjetër, gjyshen nga ana e babit të cilën e dua dhe e përshëndes shumë. Ajo ka jetuar larg, ka qenë në Vlorë prandaj nuk kemi qenë gjatë gjithë kohës. Por, dua t’u them fëmijëve që jeni me fat që keni gjyshërit në jetën tuaj dhe është dhurata më e bukur,” u shpreh Aulona me sytë e përlotur “Në kurthin e Piter Pan”.