Në kufirin mes magjisë natyrore dhe përvojës njerëzore qëndron Maja e Vajushës në Lepushë të Malësisë së Madhe – një atraksion gjithnjë e më i kërkuar nga turistët vendas dhe të huaj. Me një lartësi prej rreth 2050 metrash mbi nivelin e detit, kjo majë e Bjeshkëve të Namuna ofron një pamje spektakolare mbi Theth, Malin e Zi dhe Kosovën.
Ecja që nis nga fshati piktoresk i Lepushës është sfiduese, por shpërblehet me çdo hap. Gjatë ngjitjes, turistët nuk e fshehin emocionin dhe mahnitjen nga natyra e egër dhe e paprekur shqiptare.
“Unë jam nga Beogradi dhe këtë vend e vizitoj për herë të dytë. Mjafton ta shohësh me sy dhe mbetet përherë në kujtesë”, rrëfen një turist.
“Është hera ime e parë këtu. Vij nga Londra, dhe ecja është e vështirë, por pamja dhe mikpritja e njerëzve e bëjnë të gjitha të vlefshme”, thotë një tjetër vizitore.
Për shumë të tjerë, ky është një rizbulim i pasurisë që ofron Shqipëria. Në majë, fryma të ndalet – jo nga lodhja, por nga bukuria që shfaqet përpara syve: kreshtat madhështore, retë që përqafojnë tokën dhe heshtja që flet më shumë se çdo fjalë.
Maja e Vajushës po kthehet në një simbol të turizmit të qëndrueshëm malor, që mbështetet në natyrën, traditën dhe mikpritjen shqiptare.