FLASH :

Atletet e bardha të Ramës në samitin e NATO-s shkaktojnë debat ndërkombëtar: Tregon mungesë respekti!

Edi Rama ka përfunduar në faqet e gazetës prestigjioze britanike Daily Mail për shkak të veshjes së tij të çuditshme në Samitin e NATO-s të mbajtur dje në Hagë të Holandës, në praninë e shumë liderëve botërorë, ndër të cilët edhe Donald Trump. Kryeministri shqiptar zgjodhi të paraqitet me atlete të bardha në një ngjarje me karakter të theksuar diplomatik dhe formal, duke rënë sërish në sy jo për përmbajtje apo qëndrime politike, por për stilin e tij ekstravagant dhe të debatueshëm.

Ndërsa liderët e tjerë mbanin veshje zyrtare, Rama u shfaq me një pamje që u interpretua nga shumëkush si mungesë respekti ndaj protokollit dhe peshës së samitit. Reagimet në rrjetet sociale nuk munguan, me ndjekës që e etiketuan veshjen si “të turpshme” dhe “të papërshtatshme”, duke theksuar se Shqipëria meriton përfaqësim më dinjitoz në skena ndërkombëtare.

Në fotografitë zyrtare të takimit, Rama dallohet lehtësisht mes liderëve të NATO-s falë zgjedhjes së tij jo konvencionale të këpucëve. Një imazh e tregon atë duke qëndruar përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Kryeministrit të Holandës, Dick Schoof, me atletet e bardha që bien menjëherë në sy mbi sfondin e veshjeve të errëta dhe zyrtare të homologëve.

Në foto të tjera, Rama shihet duke pozuar krah figurave të rëndësishme botërore, përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump, Kryeministrin britanik Sir Keir Starmer dhe Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan – i vetmi me një veshje ndjeshëm më casual sesa të tjerët.

Zgjedhja e tij e modës ka nxitur reagime të përziera në rrjetet sociale. Ndërsa disa përdorues në platformën X (ish-Twitter) e vlerësuan stilin e Ramës duke e quajtur “freskues”, të tjerë e kritikuan ashpër për mungesë respekti ndaj natyrës serioze të ngjarjes. “Kjo është turpëruese”, shkroi një përdorues. “Takime të këtij niveli kërkojnë veshje formale si shenjë respekti për nikoqirët, për rastin dhe për protokollin ndërkombëtar. Të shfaqesh me atlete… është thjesht mungesë respekti”. Një tjetër komentues shtoi: “Është kaq i sikletshëm”. Një i tretë u shpreh thjesht: “Veshje e tmerrshme, o Zot!”.

Megjithatë, pati edhe nga ata që interpretuan zgjedhjen e atletëve si një deklaratë politike. “Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, jep një mesazh me atletet e bardha përballë uniformitetit të liderëve të NATO-s”, shkroi një llogari në X.

Nuk është hera e parë që Rama shfaqet me atlete në aktivitete të profilit të lartë. Vitin e kaluar, ai u fotografua me një palë të ngjashme në Samitin e 4-t të Komunitetit Politik Evropian në Pallatin Blenheim, ku qëndronte mes Keir Starmer dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Samiti vjetor i NATO-s përfundoi të mërkurën, me një moment të veçantë kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, krahasoi Presidentin amerikan Donald Trump me një “baba” që “duhet nganjëherë të përdorë gjuhë të fortë” për të ndalur përplasjet. Kjo deklaratë erdhi pas një sërë fyerjesh të Trump ndaj Izraelit në një retorikë të ashpër.

Në përmbyllje të takimit, liderët e 32 vendeve anëtare miratuan një deklaratë të përbashkët, duke u zotuar të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

Kjo marrëveshje u interpretua si një demonstrim uniteti, pavarësisht ndasive të brendshme mes vendeve. Spanja ka bërë të ditur se nuk mund të përmbushë objektivin, dhe edhe vende të tjera kanë shprehur rezerva. Një rishikim i objektivit është planifikuar për vitin 2029 – pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA – për të vlerësuar progresin dhe për të rivlerësuar kërcënimin nga Rusia.

Gjithashtu, u ritheksua edhe një herë zotimi i NATO-s për mbrojtjen kolektive – se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. “Së bashku, aleatët kanë hedhur themelet për një NATO më të fortë, më të barabartë dhe më goditëse,” deklaroi Rutte pas takimit. “Kjo do të sjellë një kapërcim të ri cilësor në mbrojtjen tonë kolektive.”

Rritja e buxhetit të mbrojtjes do të kërkojë investime prej miliarda dollarësh nga çdo shtet anëtar, në një kohë kur SHBA – anëtari me shpenzimet më të mëdha – po e zhvendos gjithnjë e më shumë vëmendjen nga Evropa drejt rajoneve të tjera si Lindja e Mesme dhe Indo-Paqësori.