Mijëra qytetarë grekë kanë mbushur Sheshin Sintagma dhe hapësirat para Ambasadës së Izraelit në Athinë të dielën, në një protestë të fuqishme kundër veprimeve izraelite në Gaza dhe në mbështetje të popullit palestinez. Ndërkohë, në Shqipëri, heshtja institucionale mbetet e thellë: asnjë reagim publik nuk është shënuar nga presidenti Bajram Begaj apo liderë të tjerë shtetërorë.
Tubimi në Athinë u organizua nga parti të majta dhe organizata për të drejtat e njeriut, dhe u shoqërua me flamuj palestinezë, pankarta kundër agresionit izraelit dhe thirrje për ndalimin e dhunës. Protestuesit dënuan ashpër si sulmet në Gaza, ashtu edhe ato në territorin iranian, duke kritikuar edhe qeverinë greke për qëndrimin e saj të njëanshëm pro-Izrael.
Atmosfera në protestë ishte e tensionuar, por pa incidente, ndërsa mesazhi i protestuesve ishte i qartë: kërkohet një politikë më e drejtë dhe e balancuar ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë në Shqipëri, ndonëse vendi është anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ka marrëdhënie diplomatike me të dyja palët, asnjë institucion nuk ka bërë një deklaratë publike për sulmet e fundit dhe pasojat humanitare në Gaza. Heshtje që bie në kontrast me qëndrimin aktiv të qytetarëve dhe shoqërisë civile në vende të tjera të rajonit.







