FLASH :

Atentat në Kolumbi/ Kandidati presidencial Miguel Uribe Turbay në gjendje kritike pas plagosjes me armë zjarri, i dyshuari një 15-vjeçar

Senatori kolumbian dhe kandidati presidencial Miguel Uribe Turbay ndodhet në gjendje kritike për jetën pas një atentati të rëndë gjatë një tubimi elektoral në Bogotá. Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite në një park të kryeqytetit, ku Uribe u qëllua tre herë, dy plumba në kokë dhe një në trup, përpara dhjetëra mbështetësve.

Politikani konservator, pjesë e partisë opozitare Centro Democrático, iu nënshtrua menjëherë ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin Santa Fe, por ndodhet ende në kujdes intensiv. Autoritetet kolumbiane njoftuan se kanë arrestuar një të dyshuar: një adoleshent 15-vjeçar, i cili u neutralizua nga policia në vendngjarje pasi u qëllua në këmbë gjatë ndjekjes.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Kolumbi. Gruaja e politikanit, María Claudia Tarazona, ka bërë thirrje për një “lutje kombëtare për jetën e Miguelit”, ndërsa presidenti Gustavo Petro shprehu solidaritet me familjen e tij. “Ka dallime politike mes nesh, por kjo nuk ka rëndësi tani. Le të bashkohemi të gjithë për jetën e Miguel Uribes,” deklaroi presidenti.

Ngjarja ka rindezur debatin për sigurinë dhe dhunën politike në vend, në prag të zgjedhjeve presidenciale.