FLASH :

Astrologu i TikTok arrestohet në Mianmar për përhapje paniku pas parashikimit të një tërmeti të ri

Autoritetet në Mianmar kanë arrestuar një astrolog popullor në TikTok, pas publikimit të një videoje që paralajmëronte një tërmet shkatërrimtar në gjithë vendin. Arrestimi i tij vjen në një kohë kur popullsia ende është e traumatizuar nga tërmeti i muajit të kaluar, që shkaktoi mbi 3,700 viktima dhe la mijëra të pastrehë.

John Moe The, 21 vjeç, me më shumë se 300,000 ndjekës në TikTok, publikoi më 9 prill një video që parashikonte një tërmet “shumë të fortë” brenda 12 ditëve, duke i këshilluar qytetarët të shmangnin ndërtesat e larta dhe të ishin gati për t’u evakuuar. Videoja e tij u pa mbi 3.3 milionë herë dhe shkaktoi frikë të përhapur, veçanërisht mes banorëve të Yangon.

Sipas mediave shtetërore, John Moe The u arrestua të martën në qytetin Monywa, dhe ndaj tij janë ngritur akuza për “përhapje të lajmeve të rreme” dhe “nxitje paniku”. Autoritetet ushtarake paralajmëruan gjithashtu se masa të ngjashme do të merren ndaj çdo personi që “shkruan, shpërndan apo ndan” informacione të pavërteta.

Banorja Nan Nan, e kontaktuar nga AFP, tha se vetë nuk i kishte besuar parashikimit, por shumë nga fqinjët e saj kishin kaluar natën jashtë banesave nga frika. “Ata nuk guxuan të flinin brenda,” tha ajo.

Llogaria e astrologut, me emrin “John (Palmistry)”, njihet për përmbajtje të mbështetur në astrologji, shpesh të shoqëruar me imazhe të kozmosit. Ai ka bërë edhe parashikime të tjera të bujshme, si lirimin e Aung San Suu Kyi apo sulme ajrore amerikane në Mianmar.

Megjithëse ekzistojnë sisteme për paralajmërimin e hershëm të tërmeteve, Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS) ka theksuar se parashikimi i saktë i tërmeteve është shkencërisht i pamundur. Në një deklaratë në faqen e tyre thuhet: “As USGS dhe asnjë shkencëtar tjetër nuk kanë parashikuar ndonjëherë një tërmet të madh. Ne nuk e dimë se si dhe nuk presim ta dimë në një të ardhme të afërt.”

Ky arrestim ngre pyetje të rëndësishme për lirinë e shprehjes, përhapjen e dezinformimit dhe kufijtë mes besimeve popullore dhe shkencës, në një vend ku besimi te astrologjia është i përhapur, por edhe ku kontrolli i informacionit nga autoritetet ushtarake është ekstrem.