Në një intervistë të fundit për mediat kosovare, Xheraldina Vula, nëna e këngëtarit të njohur Ledri Vula, ka folur për herë të parë mbi ndarjen e të birit nga partnerja e tij, Sara Hoxha, duke treguar se lajmi ishte një tronditje për të gjithë familjen.
“U ndjemë shumë keq, ishte befasuese për ne. Nuk kemi pasur qejf fare, por të rinjtë nuk na pyesin. Ata bëjnë zgjedhjet e tyre”, tha ajo me sinqeritet, duke shtuar se çifti kishte qenë shumë i mirë bashkë dhe se ndarja nuk ishte aspak e lehtë për t’u përballuar si prind.
Pavarësisht kësaj, Xheraldina theksoi se marrëdhënia e saj me Sarën nuk ka ndryshuar aspak: “Unë me Sarën vazhdoj të kem të njëjtën lidhje. Nuk ka asnjë antagonizëm mes nesh. Ajo vazhdon të kujdeset për vajzën, e sjell tek gjyshja, vjen e na viziton. Gjërat janë shumë korrekte mes nesh.”
Ndërkohë, vetëm pak muaj pas ndarjes, Ledri është parë në krahët e një vajze të re. Reperi po përflitet se është në një lidhje me Rina Zaitin, me të cilën është fotografuar gjatë pushimeve në jug të vendit. Në foto, çifti shihet duke kaluar momente intime pranë detit, larg vëmendjes së mediave dhe angazhimeve të përditshme.
Duket se pas një periudhe reflektimi, Ledri ka gjetur qetësinë në një kapitull të ri të jetës së tij personale, ndërsa marrëdhëniet mes familjes dhe ish-partneres së tij mbeten në nivel të respektueshëm dhe të civilizuar.




