Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dhënë një deklaratë të ashpër ndaj Republikës Islamike të Iranit, duke i kërkuar ndalimin e menjëhershëm të sulmeve kundër Izraelit dhe frenimin e ambicieve bërthamore. Në një mesazh zyrtar, Begaj shprehu shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rrezikun që, sipas tij, këto zhvillime paraqesin për paqen globale.
“Iranit i kërkohet të ndalojë menjëherë veprimet luftarake ndaj shtetit të Izraelit dhe të braktisë programet që synojnë zhvillimin e armëve bërthamore,” u shpreh Presidenti shqiptar në deklaratën e tij.
Por ajo që ra në sy nga reagimi i Kreut të Shtetit ishte mungesa totale e çdo reference ndaj masakrave të vazhdueshme në Gaza, ku mbi 55 mijë palestinezë – kryesisht gra dhe fëmijë – janë vrarë nga bombardimet izraelite gjatë muajve të fundit. Asnjë fjalë për shkatërrimin e spitaleve, urinë e organizuar dhe bllokadën humanitare që ka prekur më shumë se 2 milionë njerëz.
Në vend të një qëndrimi të balancuar, presidenti Begaj zgjodhi të përsërisë narrativën perëndimore, duke rreshtuar Shqipërinë krah aleatëve euroatlantikë dhe duke kërkuar “rikthimin e diplomacisë dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare”.
Deklarata vjen në një moment kritik, kur Irani ka ndërmarrë sulme me raketa ndaj Izraelit në kuadër të një hakmarrjeje për goditjet ajrore të Tel Avivit ndaj infrastrukturës ushtarake dhe civile iraniane, përfshirë edhe ndërtesat e mediave shtetërore. Përshkallëzimi i dhunës në rajon ka ngritur shqetësime për një konflikt më të gjerë rajonal, por reagimi i Shqipërisë, përmes Presidentit të saj, ka qenë i njëanshëm dhe selektiv.
Qëndrimi i Begajt përfaqëson një nga deklaratat më të drejtpërdrejta të Tiranës kundër Teheranit dhe vendoset qartë në linjën e qëndrimeve të NATO-s, SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë. Megjithatë, heshtja për krimet humanitare në Gaza mbetet një pikë e errët në diplomacinë shqiptare.