FLASH :

“Askush s’kujdeset për ne” – Brenda qytetit më të rrezikshëm të Uellsit, mes varfërisë, drogës dhe shpërfilljes totale

Qyteti i Newport në Uells po përballet me një krizë të rëndë sociale dhe kriminale, të cilën banorët e përshkruajnë si “katastrofë të shpërfillur” nga autoritetet. Me vetëm 159,600 banorë, Newport ka nivelin më të lartë të kriminalitetit në vend, me 121 krime për çdo 1,000 persona, shumë mbi mesataren kombëtare. Banorët e kësaj zone të njohur edhe si “qyteti zombie”, tregojnë për rrugë të mbushura me lypës, përdorues dhe shitës droge, përfshirë edhe fëmijë që shesin drogë.

Zona më e goditur është Pillgwenlly, ku varfëria është e dukshme, dyqanet janë të mbyllura ose të djegura, ndërsa mbeturinat dhe gjilpërat e drogës janë kudo. Në një vizitë të bërë nga MailOnline, u panë përdorues droge që injektonin publikisht dhe banorë që shpreheshin të braktisur nga këshillat lokale dhe qeveria uellsiane. Jim Holland, 77 vjeç, tha: “Qyteti duket sikur është bombarduar – mendon se je në Gaza, jo në Uells!” Ndërkohë një punonjës pastrimi, që kërkoi të mbetet anonim, tha se përpara se të kositin barin, duhet të pastrojnë gjilpërat e hedhura. “Tani është si një vend i botës së tretë. Është turp.”

Ndërkohë, Friar’s Walk, dikur simbol i investimeve urbane, është kthyer në një lagje fantazmë, me shumicën e dyqaneve të mbyllura dhe rrugët kryesore të rrethuara me mbulesa metalike. Shumë banorë tashmë shkojnë për blerje në qytetin fqinj Cwmbran, që ofron kushte më të sigurta dhe parkim falas. Të pastrehët, përdoruesit e drogës dhe shitësit ambulantë janë tashmë një panoramë e zakonshme në rrugët e Newport. Statistikat tregojnë se ky qytet ka edhe nivelin më të lartë të strehimit emergjent në Uells, me 193 familje për çdo 10,000 që konsiderohen të pastreha.

Jordan Cunliffe, një banor lokal, shprehet: “Askush nuk kujdeset për ne. Këtu jemi thjesht të braktisur.” Ndërkohë, tregtarja Lyn Wen, që jeton prej më shumë se 20 vitesh në qytet, e përshkruan situatën si gjithnjë në përkeqësim: “Ka shumë drogë – është bërë e tmerrshme. Të rinjtë dhe të moshuarit, të gjithë janë të përfshirë.” Po këtë frikë ndan edhe Samantha Rogers, nënë e dy fëmijëve, që thotë se ndien frikë për sigurinë e fëmijëve të saj: “Dje pashë një makinë të braktisur dhe kanistra gazi për ‘balloons’. Kudo ka gota të thyera dhe shiringa.” Për banorët e Newport-it, realiteti është i zymtë dhe ndjesia dominuese është se janë lënë pas dore, në një qytet që dikur kishte jetë, por sot është kthyer në simbol të shkatërrimit social dhe harresës institucionale.