Është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare, ikona e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa. Aktorja ka festuar ditën e djeshme ditëlindjen.
Margarita Xhepa kohët e fundit ka qenë në gjendje të rënduar shëndetësore nga mushkëritë. Ajo ka ndërruar jetë në një spital privat.
Aktorja u lind më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej ku nisi edhe hapat e parë drejt karrierës së saj. Gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.
Përveç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën” etj.
Disa prej personazheve që interpretoi gjatë karrierës së saj janë “Vitet e para” , “Gjurmët”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Koncert në vitin 1936”, “E diela e fundit”, “Një djalë edhe një vajzë”, “Apasionata”, “Gjeneral gramafoni”, “Rrethi i kujtesës”, “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë”, “Gurët e shtëpisë sime” dhe “I dashur armik”.
U aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor. Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).

Redaksia e Lajme Troç, i shpreh ngushëllime të sinqeta familjes Xhepa!