Në seancën e dytë rrëfyese para drejtësisë, i penduari Artan Tafani ka hedhur dritë mbi detajet tronditëse të vrasjes së Albi Bashaliut, për të cilën ai thotë se është paguar me një shumë prej 30 mijë eurosh, të sjella në Tiranë nga Qamil Haxhiu, babai i Laert Haxhiut.
Tafani, i konsideruar si një ndër dëshmitarët kyç në dosjen kundër grupit kriminal të udhëhequr nga Laert Haxhiu, rrëfeu në sallën e gjyqit sesi u realizua atentati, përpjekjet për të humbur gjurmët dhe shpërndarja e parave për të gjithë të përfshirët.
“Pasi mbaruam punë, makina ‘Audi’ nuk na ndezi. Mora një ‘Benz’ gri me targa greke dhe, pasi kaluam Kavajën, kam çmontuar armën në makinë. Ishim të kujdesshëm, sepse kalonin makina të tjera dhe s’donim të na shikonin duke hedhur pjesë të armës,” deklaroi Tafani.
Sipas tij, pas mbërritjes në Tiranë, mjeti u braktis në zonën e Astirit dhe më pas ata ecën në këmbë për të shmangur gjurmët. Paratë e premtuara për vrasjen, 30 mijë euro, iu dorëzuan nga babai i Laertit, Qamil Haxhiu.
“Këto lekë i ndamë në tre pjesë – unë, Laerti dhe Lulzim Arapi. Ishin të sjella nga Qamili, i ati i Laertit. Ai erdhi në Tiranë për t’i dorëzuar. Laerti fliste gjithmonë përpara me një person që e thërrisnin ‘Limi’, ai i kishte dhënë paratë,” shtoi Tafani.
Por pagesa nuk mbaroi me kaq. “Pas një muaji erdhën edhe dy këste të tjera – dy herë nga 10 mijë euro – dhe sërish ishte Qamili që i solli. Ai vinte një herë në dy-tre muaj dhe rrinte me ne disa ditë,” tha dëshmitari, duke theksuar rolin aktiv të babait të Laertit në menaxhimin financiar të veprimtarisë kriminale.
Kjo dëshmi pritet të luajë rol kyç në zbardhjen e skemës së funksionimit të grupit dhe të rrjetit mbështetës që ndihmonte në fshehjen dhe shpërblimin e autorëve të krimeve. Dëshmitë e Tafanit janë në fokus të Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila po përgatit aktakuzën për disa ngjarje të rënda të ndodhura në vitet e fundit.