FLASH :

Arsyeja e pazakontë pse ylli i Tour de France i rrëmbeu pankartën një tifozeje, e grisi dhe e futi nën bluzë

Një moment i çuditshëm dhe i pazakontë në fazën e 14-të të Tour de France ka bërë bujë në rrjet: çiklisti francez Julian Alaphilippe u filmua teksa i rrëmbeu një pankartë një tifozeje, e grisi dhe më pas e futi një pjesë të saj nën bluzën e çiklizmit. Gjest që në fillim u interpretua si një akt zemërimi ndaj një fansi të një rivali, rezultoi të kishte një arsye praktike: izolim ndaj të ftohtit.

Gjatë garës në malin Pirene, në temperatura të ulëta ekstreme, 33-vjeçari Alaphilippe – dy herë kampion bote – u pa duke vuajtur nga të ftohtit. Ish-shoku i tij i ekipit, Zdenek Stybar, deklaroi se “Julian po vuante vërtet nga i ftohti”. Pas rreth 30 km, Alaphilippe ndaloi pranë një motori me kamerë, kërkoi falje dhe i ktheu tifozes pjesët e mbetura të pankartës. Më vonë, ai e kërkoi sërish dhe i dhuroi një numër bib (numër gare), ndërsa ajo pati mundësinë të bëjë edhe një foto me çiklistin Wout van Aert.

“Në fund, gjithçka u mbyll mirë,” tha Alaphilippe. “I kërkova ndjesë zonjës, i dhashë një bib dhe ajo u argëtua më shumë se sa do të ishte në majë të Tourmalet.”

Ndërkohë, faza e 14-të pati edhe një tjetër incident të pazakontë, kur një makinë e ekipit Ineos Grenadiers përplasi një spektator që ndodhej në mes të rrugës duke filmuar çiklistët. Fatmirësisht, makina lëvizte me shpejtësi të ulët, por spektatori u rrëzua dhe telefoni i tij fluturoi në ajër. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Makina po ndiqte çiklistin Thymen Arensman rreth 200 metra nga maja e Col de Peyresourde, ndërsa komentatori Jerome Coppel tha se situatat në rrugët e ngushta të maleve janë shumë të ndërlikuara dhe rreziku i incidenteve është i lartë. Organizatorët thanë se nuk ishin në dijeni të përplasjes, ndërsa Ineos Grenadiers nuk kanë komentuar ende.

Pavarësisht momenteve të pazakonta, Alaphilippe e mbylli etapën në vendin e 50-të, ndërsa fitues i ditës u shpall Thymen Arensman.