FLASH :

Arrestohet shkaktuesi i aksidentit me dy të vdekur në Borsh

Policia e Vlorës ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik më 30 maj në rrugën e Plazhit në Borsh, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy të tjerë. Bëhet fjalë për shtetasin M. Q., 29 vjeç, banues në Vlorë, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Sipas hetimeve paraprake, 29-vjeçari, duke drejtuar një automjet tip “Benz”, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një furgon të drejtuar nga shtetasi K. M., 66 vjeç. Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i furgonit dhe pasagjerja e tij, D. P., 70 vjeçe.

Ndërkohë, edhe vetë drejtuesi i “Benz”-it, M. Q., dhe pasagjeri në automjetin e tij, P. A., 23 vjeç, janë plagosur dhe janë transportuar në QSUT për ndihmë mjekësore të specializuar. Policia vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.