Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës kanë ndaluar shtetasin A. P., 33 vjeç, pasi theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe kanosi ish-vjehrrin F. G., 58 vjeç, dhe djalin e tij A. G., 24 vjeç. Ndërkohë, për këtë ngjarje, nisi procedimi edhe për F. G., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj A. P.
Po ashtu, janë referuar materialet në Prokurori për tre persona të tjerë që u kapën duke drejtuar automjete pa leje: S. P., 26 vjeç, një 17-vjeçar dhe D. B., 22 vjeç nga Shkodra.
Ndërkohë, ka nisur hetimi për një rast aksidenti me largim nga vendngjarja, pasi më 2 qershor, shtetasja V. S., 33 vjeçe, është paraqitur në spitalin e Shkodrës duke deklaruar se është përplasur nga një motomjet në aksin “Shkodër-Hani i Hotit”. Policia po punon për identifikimin e drejtuesit.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi L. Sh., 66 vjeç nga Shkodra dhe F. F., 56 vjeç nga fshati Rrjoll, të cilët u kapën me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën dhe lokalin e tyre, gjatë kontrolleve me OSHEE-në.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme.