Një i mitur 17-vjeçar është ndaluar nga Policia e Kosovës në fshatin Rapç të Dragashit gjatë një manifestimi tradicional që mblodhi mijëra pjesëmarrës nga zona. Sipas autoriteteve, ai kishte veshur një bluzë me hartën e Kosovës dhe mbishkrimin në cirilik “Dragash, Kosovo i Metohija”, frazë që nënkupton narrativën serbe për Kosovën si pjesë e Serbisë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi incidentin:
“Në manifestim është vërejtur një i ri 17-vjeçar me një bluzë me hartën e Kosovës dhe mbishkrimin në cirilik ‘Dragash, Kosovo i Metohija’. Ai është shoqëruar nga policia dhe pas intervistimit është liruar me procedurë të rregullt.”
Ndaj të miturit është iniciuar një hetim për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe e mosdurimit”, që sanksionohet sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ngjarja ka shkaktuar debat në rrjetet sociale dhe reagime për ndjeshmërinë e simboleve dhe mesazheve provokuese në ambiente publike, sidomos në zona të ndjeshme etnike si Dragashi.








