Policia e Shtetit ka zbardhur identitetin e shqiptarit të arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.
Bëhet fjalë për 34-vjeçarin Juxhin Drazhi, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të operacionit për goditjen e organizatës kriminale të Elvis Doçit, i njohur si “Vis i Pojës”.
“Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u krye arrestimi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar J. D., 34 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”” – thuhet në njoftimin e autoriteteve policore.
Gjithashtu, raportohet se Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madrid/Spanjë për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt vendit tonë.