Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike të forta në zonat e Kamzës dhe Valiasit.
Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i tij erdhi pas informacioneve të marra në rrugë operative, ku mësohej se i riu ushtronte aktivitet kriminal të shitjes së kokainës në doza të ndara.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi disa qese plastike me kokainë të gatshme për tregtim, dy armë të ftohta, një peshore elektronike, si dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
I arrestuari rezulton të jetë i dënuar më parë për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale qese plastike me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, 2 armë të ftohtë(thikë dhe shkop metalik si të policisë, 1 peshore elektronike si dhe një shumë parash e përfituar nga veprimtaria kriminale.”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.