Një nga figurat më të kërkuara të mafias shqiptare në Amerikën Latine është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për Dritan Gjikën, i identifikuar nga autoritetet ekuadoriane si lideri i Mafias Shqiptare në Ekuador, i cili u kap në Abu Dabi si rezultat i një operacioni të përbashkët ndërkombëtar të koordinuar nga Interpol Ekuador dhe autoritetet e Emirateve, me mbështetjen e programit evropian për sigurinë PAcCTO 2.0.
Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht Ministria e Brendshme e Ekuadorit, e cila e cilëson këtë arrestim si një “goditje ndërkombëtare ndaj krimit të organizuar”. Sipas njoftimit zyrtar, Dritan Gjika, 47 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol me dy “notifikime të kuqe” për akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në rrjete të krimit të organizuar transnacional.
Gjika kishte hyrë për herë të parë në Ekuador në vitin 2008 nën identitet të rremë dhe ishte shndërruar në një nga bosët më të fuqishëm të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës, duke përdorur porte ekuadoriane dhe rrjete logjistike të sofistikuara. Ai ishte i lidhur me disa organizata të krimit të organizuar europian dhe konsiderohej një figurë kyçe në trafikun shumëtonësh të drogës drejt Spanjës, Holandës dhe Italisë.
Autoritetet ekuadoriane kanë konfirmuar se tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, me qëllim ndjekjen penale përmes drejtësisë vendase. Gjithashtu, pritet që hetimet e mëtejshme të çojnë në goditjen e bashkëpunëtorëve të tij dhe të rrjetit të gjerë që kishte ngritur në rajon.
Arrestimi i Gjikës vjen në një kohë kur autoritetet ndërkombëtare po intensifikojnë bashkëpunimin për të goditur rrjetet mafioze shqiptare të shpërndara në Amerikën Latine, Evropë dhe Lindjen e Mesme.







