FLASH :

Arrestohet edhe nëna në hetimin për vrasjen e babait në Fier, mohon çdo përfshirje

Një ditë pasi u shoqërua për t’u marrë në pyetje, policia ka arrestuar edhe nënën e 26-vjeçares Ermalinda Rama, e cila akuzohet se mbyti babain e saj, Anesti Rama, me tel në banesën familjare në fshatin Frashër të Fierit. Dyshohet se pas krimit, vajza dhe nëna kanë bashkëpunuar për të fshehur gjurmët e ngjarjes, duke pastruar trupin e viktimës me synimin për ta paraqitur vdekjen si një aksident.

Sipas burimeve zyrtare, të dyja gratë – vajza si autore dhe nëna e saj, V. R., 53 vjeçe – kanë tentuar të pengojnë hetimet duke ndërhyrë në vendin e ngjarjes pas vrasjes. Megjithëse fillimisht 53-vjeçarja u shoqërua në polici, ajo nuk u ndalua menjëherë pasi ishte në vlerësim roli i saj në këtë ngjarje. Tashmë, edhe ajo ndodhet nën arrest.

Pas krimit, vajza telefonoi policinë, duke pretenduar se i ati kishte vdekur në rrethana aksidentale. Por hetimet paraprake ngritën dyshime të forta mbi versionin e saj, dhe më pas ajo pranoi në polici se kishte kryer vrasjen. Në dëshminë e saj, 26-vjeçarja tha se babai ishte shumë kontrollues dhe nuk e linte të vishej apo të dilte siç donte, ndërsa mes tyre kishte përplasje të vazhdueshme për shkak të sjelljes së tij dhe mungesës së mbështetjes financiare.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima është goditur dhe më pas mbytur me tel, ndërsa më pas dyshohet se është dëmtuar edhe në pjesë intime. Policia e Fierit konfirmoi se nëna e vajzës është arrestuar me dyshimin se ka ndihmuar në fshehjen e provave dhe në inskenimin e ngjarjes si një aksident.